Një person që sajoi një kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet për mbledhje fondesh për presidentin Barack Obama në vitin 2012, u dënua me katër muaj heqje lirie.
William Argeros kishte pranuar fajësinë në vitin 2016 për këtë çështje dhe për dëshmi të rreme para një jurie të madhe, duke u përballur me deri 24 muaj heqje lirie, në bazë të marrëveshjes së tij për pranimin e fajit.
Por gjykatësja, Madeline Cox Arleo, vuri në dukje mungesën e precedentëve penalë të 61vjeçarit dhe besimin se kontributi prej 80 mijë dollarësh nuk kishte për qëllim të ndikonte në zgjedhjet amerikane.
Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë. Avokati John Azzarello, duke përfaqësuar zotin Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama.
Avokati Azzarello tha se kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë. Kur akuzat u publikuan në vitin 2016, zyra e zotit Rama mohoi të ishte burim i kontributeve.
Zyra e prokurorit amerikan pretendonte se zoti Argeros organizoi kontributin përmes një banori nga New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017.
Gjykatësja Cox Arleo tha se i dha zotit Argeros një dënim më të rreptë, pasi ai pranoi se kishte gënjyer një juri të madhe.
Zoti Argeros banonte në Tampa të Floridës, në kohën kur u ngritën akuzat. Ai kishte banuar shumë vjet në Betlehem të Pensilvanisë, ku puna e tij përfshinte shërbimin në një bord këshillimor burgu dhe mbështetjen e ri integrmit të të burgosurve, tha avokati Azzarello. Disa nga ish kolegët e tij i shkruan letra gjykatëses Cox Arleo për ta mbështetur.
Me lot në sy, zoti Argeros i tha gjykatëses se “ndjehem i turpëruar dhe marr përsipër përgjegjësinë e plotë për atë që kam bërë”.
Marrë nga VOA