Nga Vepror Hasani
Vllehët e Korçës kishin 31 vjet që luteshin për ngritjen e kishës së tyre, por Mitropolia nuk u jepte leje. Ngritjen e kishës e shihte me frikë, si një ndarje të vllehëve nga kisha e saj. Megjithatë, vllehët e Korçës vazhdonin me këmbëngulje në plotësimin e ëndrrës së tyre.
“Në vitin 1890, Papallambro Ballamaçi shkoi në Stamboll si delegat për krijimin e një peshkopate rumune në Turqi”. Kështu shkruhet te “Gazeta e Korçës” 11 mars 1932. Ai shkonte si delegat në emër të të gjithë vllehëve, gjë që tregon se përpjekjet e tyre mund të kenë qenë edhe më të hershme, përderisa kishin arritur në një organizim të tillë.
Që nga viti 1890 kur Papallambroja shkoi në Stamboll për krijimin e peshkopatës rumune, edhe pse kishin kaluar 10 vjet, ëndrra për ngritjen e kishës nuk u shua. Më 1912, vllehët e Korçës me Papallambron në krye, kërkuan ndihmën e besimtarëve, por sërish Mitropolia u doli kundër
Shtypi e kohës shkroi jo pa ironi: “Në pazar pamë të shëtitnin njerëz nga Mitropolia duke mbledhur nënshkrime për të protestuar për ngritjen e një kishe të vllehëve në Korçë. Siç dihet, zotërinjtë e Mitropolisë kanë frikë mos molepset Korça me ndonjë fe të re, prandaj marrin këto masa të krishterimta se vllehët mund t’i luten ndonjë shejtani e jo Krishtit!!!”(Gazeta “Koha” 1 janar 1912).
Përpjekja e vllehëve përfundoi pa sukses. Dy vjet më vonë, andartët grekë hynë në Korçë, therën me thika dhe bajoneta Papa Llambro Ballamaçin, vëllanë e tij Sotir Ballamaçin, Vasil Tallabakun, Vangjel Balajanën, Vasil Facen etj. Pas kësaj, ngritja e kishës u shty por nuk u harrua. Tani vllehët kishin një arsye më shumë: do të plotësonin ëndrrën e Papa Llambro Ballamaçit që u përpoq deri në flijim
Pas largimit të francezëve më 1920, sërish u ringjall ëndrra e ngritjes së kishës. Tashmë Shqipëria kishte qeverinë e saj. Ndërtimi i kishës ishte i mundur. Pas shumë parapërgatitjeve, më në fund u lajmërua vendosja e gurit të parë në themelet e kishës. Ajo do të mbante emrin e Shën Sotirit.
Shtypi përcolli ngjarjet e ditës: “Të dielën që shkoi rumunët e qytetit tonë vunë gurin e parë mbi themelet e kishës së tyre. Ceremonia u bë prej mitropolitit dhe gjithë klerit. Një shumicë e madhe prej qytetit kish marrë pjesë në këtë festim si kundër dhe gjithë kryetarët dhe direktorët e zyrave. Z. Nikuca Ballamaçi, (biri i Papallambros), i ngarkuar nga komuniteti rumun falenderoi gjithë popullin për dashurinë që treguan. Banda “Vatra” i dha një shijë të veçantë këtij festimi me coprat (pjesët) kishtare që lojti atë ditë. “Koha” iu uron vëllëzërve rumun të mbushurit të qëllimit të tyre.” (Gazeta “Koha”, e shtunë 12 mars 1921).
Ngritja e kishës “Shën Sotiri” përfundoi pas katër vitesh. Ishte gati të priste besimtarët e saj. Shtypi dha lajmërimin: “Komuniteti rumun i Korçës i bën të njohur popullit se më 25 tetor, ditën e diel, inaugurohet (engjinapset) kisha rumune “Shpërfytyrimi i Shpëtimtarit” (Shën Sotiri). Janë të lutur të gjithë të urdhërojnë në këtë kremtim. Nga Komisioni i komunitetit rumun të Korçës”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë 17 tetor 1925)
Gjithashtu kronikat e më pastajme na njohin edhe me ditën e përurimit të kishës:
“Pardje, të diel në mëngjes, u bë inauguracioni i kishës rumune Shpërfytyrimi i Shpëtimtarit. U ndodh ministri i Rumanisë z. Simoni Mandresku bashkë me zonjën e tij, konsuj të huaj, tërë autoritetet e vendit, e një shumicë e madhe populli. Folën mbi rëndësinë e ndërtimit të kësaj kishe mitropoli Jerotheos, at Vasil Markoja dhe z. ministër duke përmendur miqësinë rumuno-shqiptare. Pas inauguracionit u bë zbulimi i statujës të të ndjerit Papaharallamb Bullamaçi, i cili u ther më 1914 prej andartëve. Urimet u pritën në shkollën rumune prej Komisionit të komunitetit rumun dhe zonja e zotit ministër. Dje në mëngjes, z. ministër shkoi për Tiranë” (“Gazeta e Korçës”, e mërkurë 28 tetor 1925).
Ditën e inaugurimit e gjejmë të përshkruar edhe në një gazetë tjetër e cila sjell detaje të tjera: “Pardje u inaugurua kisha e këtushme e vllehëve “Shën Sotiri”, inaugurimin e bëri hirësia e tij Hierotheu bashkë me priftërinjtë e tjerë të Korçës. Gjithë kishat e tjera të Korçës ishin të mbyllura përveç Shën Marisë që ishte hapur. Një shumicë e madhe prej popullit kishin vajtur në ceremonin si dhe prej katundeve kishin ardhur mjaft. Gjithë zyrtarët e vendit ishin ftuar dhe muarë pjesë në këtë kremtim. Për këtë qëllim kishte ardhur këtu edhe ministri i Rumanisë, i cili mbajti një fjalë shumë të bukur. Të inauguruarit mori një përfundim të mirë, sido që shtyhej populli, po këto ngjasin kurdoherë nëpër shumica të këtilla”. (Gazeta “Zëri i Korçës”, 27 tetor 1925).
Kisha u ndërtua aty ku sot gjendet kinema “Majestik” pra diku aty ku vetë vllehët e Korçës e kishin ëndërruar aq shumë, por fatkeqësisht ajo u shemb nga tërmeti i 28 janarit 1931. /tesheshi.com/