Nga Saimir Sulaj, Nju-Jork/
Bronksi nuk është më ajo lagjja geto e qytetit të Nju-Jorkut. Një plan i mirëmenduar në vitet 90, i drejtuar nga prokurori Rudi Xhuliani, i cili do të bëhej edhe kryetar i bashkisë më vonë, e zvogëloi shumë numrin e krimeve atje. Megjithatë, Bronksi mbetet një prej zonave më të varfëra dhe më të rrezikshme në Nju-Jork. Dikur i mbipopulluar nga emigrantët italianë dhe afro-amerikanët, prej viteve 70 përbërja demografike nisi të bëhej më e larmishme. Tanimë shumë zona të Bronksit mund të thuhet se u përkasin shqiptarëve. Të ardhur nga të gjitha trojet, kryesisht nga ato në Malin e Zi, shqiptarët nisën të vendoseshin në këtë zonë, duke banuar në apartamente, në ndërtesa dy apo tri katëshe të ngritura nga fillimi gjer në mesin e shekullit XX. Pak nga pak, edhe bizneset e zonës, kryesisht restorantet italiane, nisën të ndryshonin pronësi, prej emigrantëve italianë, tek ata shqiptarë.
Sot, kur shkon në Bronks, në lagje të veçanta, të krijohet përshtypja se je në ndonjë zonë të Shqipërisë. Nëse je në bulevardin “Arthur Avenue”, zëre se je në tokë shqiptare. Të gjithë emërtimet e bizneseve janë në shqip. Të zë syri simbole kombëtare dhe art mural me ngjyra kuqezi apo me heronj kombëtarë. Dhe nëse futesh në një nga restorantet, përveç gjellëve tradicionale shqiptare, veshi menjëherë të kap një melodi dhe këngë në shqip. Është televizori që qëndron i fiksuar në një qoshk pranë tavanit dhe i stacionuar në një nga kanalet televizive me muzikë folklorike apo moderne shqiptare. Në një cep tjetër të kap shikimi ndonjë bust të Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Nëse sapo futesh i përshëndet në shqip, atëherë do të ta kthejnë po ashtu. Në tavolinat ngjitur do të dëgjosh biseda në shqip. Të rinj, që flasin në shqip, por të përzier me zhargon e me disa fjalë në anglisht dhe që në krahë ju vë re ndonjë tatuazh me heroin tonë kombëtar, apo me shqiponjën e zezë dykrenare. Njerëz të tjerë të moshës së mesme, apo të moshuar, po ashtu bisedojnë në shqip dhe shkëmbëjnë ndonjë shaka edhe me stafin e restorantit. Po ashtu mund të thuhet edhe nëse shkon në ndonjë dyqan, ushqimor dhe bulmetërash. Do të gjesh gjithçka nga gatimet tona, që nga byreku, qoftet, djathi i bardhë, ushqime këto që mungojnë në zona të tjera të SHBA-së.
Përpos tyre gjen edhe një mal me simbole kombëtare. Të duket vetja sikur je në pazarin e Krujës. Por, siç po ndodh tanimë rëndom edhe atje, shumica janë imitime të prodhuara në Kinë mbase dhe jo vepra artizanale. Për dikë që i mungon Shqipëria, apo për ndonjë vizitor shqiptar kureshtar, ky bulevard me nam, i sjell një aromë të vendit tonë e i lë një shije që e kujton gjatë.
Por ne jemi drejtuar tjetërkund sot. Jo larg prej andej, ndodhet selia e organizatës më të madhe mbarëshqiptare në Amerikë, e krijuar plot gjashtë muaj para se të shpallej pavarësia, më 28 prill 1912, Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”.
“Vatra”, kur u krijua, e kishte selinë në qytetin e Bostonit, në shtetin verilindor të SHBA-së, Masaçusets. Kjo për shkak se komuniteti shqiptar në atë kohë, ishte përqendruar në atë zonë. “Vatra” dhe kisha ortodokse autoqefale e ngritur nga Fan Noli, ishin tribuna kombëtare. Këto dy institucione ishin “kisha” dhe “xhamia” ku “faleshin” emigrantët shqiptarë të çdo besimi. Aty pleqëronin hallet e atdheut dhe shprehnin mendimet se si duhej shpëtuar. Aty mblidhin edhe ato para që fitonin me gjak në ditë pune më shumë se 12 orëshe. Dhe bënë një punë të shkëlqyer në pavarësimin e Shqipërisë dhe shpëtimin e saj, gjatë konferencës së paqes në Versajë. Nën thirrjen e Nolit, me poezinë e famshme “Jepni për nënën”, ata nuk kursyen as qindarkën e fundit, duke financuar qëndrimin e delegacionit shqiptar në Francë gjatë bisedimeve, por edhe lobuan fort në administratën amerikane. Mbase nuk është thjesht rastësi edhe mbrojtja që presidenti i asokohshëm amerikan Uilson i bëri pavarësisë së Shqipërisë.
Por në dekadat e fundit të shekullit XX, si pasojë e shtimit të numrit të emigrantëve shqiptarë në Nju-Jork dhe rrethina, duke përbërë shumicën e komunitetit shqiptar në Amerikë, “Vatra” u transferua në Bronks. Shumë shqiptarë që kemi takuar në SHBA janë të mendimit që “Vatra” ka vdekur. Pas misionit tepër të suksesshëm në fillim të shekullit XX, kur drejtohej nga kolosë si Fan Noli apo Faik Konica, shumë mendojnë se “Vatra” e ka përfunduar misionin e saj. Mirëpo ajo ekziston ende dhe ata që punojnë për të ngulmojnë se kurrë nuk ka vdekur dhe kurrë nuk do të tërhiqet nga roli i saj.
Kur shkojmë te selia e “Vatrës”, derën si përherë na e hap Dalipi, kryeredaktor i gazetës “Dielli” që është organi i federatës që prej krijimit të saj. Dalip Greca është i punësuari i vetëm i “Vatrës”, e cila mbahet gjithashtu nga puna vullnetare dhe kontributet financiare të drejtuesve dhe anëtarësisë së saj. Ai është thuajse çdo ditë të javës në zyrë, duke u kujdesur për mjediset e selisë, për mbarëvajtjen e gazetës “Dielli”, të cilën e nxjerr për shtyp së bashku me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve një herë në muaj, si dhe për mikpritjen e vizitorëve apo studiuesve që duan të shfletojnë fondin e bibliotekës së “Vatrës”. Federata ka një bibliotekë që në shikim të parë të ngjan e vogël, por ka një fond të admirueshëm dhe tepër të vyer. Dalipi na rrëfen se mbase kjo është biblioteka më e madhe me vepra në shqip, në komunitetin shqiptar në Amerikë dhe na jep një udhëtim në kohë për fondin që ka kjo bibliotekë.
“Librat e parë në këtë bibliotekë janë të trashëguar që përpara se të krijohej Federata Panshqiptare ‘Vatra’. Dhe kjo për meritë të njërës prej shoqatave të atëherëshme që ishte edhe më në gjendje nga financat dhe nga anëtarët, pasi pjesë e saj ishin edhe Fan Noli dhe Sotir Peci. Është fjala për shoqatën ‘Besa-Besë’ që ishte në themelet e federatës ‘Vatra’ kur ajo u krijua më 28 prill 1912. Pra librat më të hershëm që ne kemi në bibliotekë janë të asaj kohe. Më pas vijnë botimet e sponsorizuara nga ‘Vatra’, pas krijimit të saj. Janë kryesisht përkthimet e para të Nolit dhe ato pak libra që trashëguam nga Konica. Ne kemi të ruajtura gati të gjitha tragjeditë e Shekspirit të sjella në shqip nga Fan Noli. Kemi Rubairat e Omer Khajamit. Kemi Don Kishotin e Servantesit. Ne kemi edhe dokumente të hedhura në letër me shkrim dore që datojnë që prej vitit 1910. Ndoshta do të ishte mirë që edhe arkiva e Shqipërisë të vinte t’ju hidhte një sy këtyre dokumenteve që ka federata ‘Vatra’, të cilat mund të vihen në shërbim të studiuesve. Mirëpo me përjashtim të arkivit të Kosovës, që është treguar kurioz të vijë të shohë se çfarë ka këtu, dhe u surprizuan pasi nuk e merrnin me mend se çfarë dokumentesh ka këtu. Ata morën përsipër që në të ardhmen të vinin me një ekip dhe të bënin edhe dixhitalizimin e dokumenteve të bibliotekës së ‘Vatrës’”, na tregon Dalipi.
Ai gjithashtu u bën thirrje studiuesve të rinj dhe të vjetër që të vijnë dhe të shfrytëzojnë materialet dhe librat që ka biblioteka.
“Kjo bibliotekë me libra në shqip është më e pasura me vepra në Amerikë, por fatkeqësisht jo shumë e shfrytëzuar. Ka pasur raste që ne kemi marrë ftesa edhe nga Europa për ta vizituar këtë bibliotekë, por jo shumë nga Amerika. Nuk po them se këta kanë munguar. Kemi pasur për shembull studiues nga Kosova, të cilët kanë studiuar në universitetet e Vjenës dhe kanë marrë si disertacion literaturë nga shqiptarët e Amerikës ose emigracioni shqiptar në përgjithësi dhe këtu kanë gjetur burime të bollshme. Ne ju bëjmë apel të gjithë studiuesve që këtu do të gjejnë material të bollshëm, jo vetëm në formën e dokumentacionit origjinal, por edhe në formën e botimeve që kanë dalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej të gjitha organizatave shqiptare që kanë vepruar këtu, jo vetëm të ‘Vatrës’ apo ‘Diellit’.
Ne kemi edhe pasurinë më të madhe të kësaj biblioteke që është gazeta ‘Dielli’. Ne i ruajmë gati të gjitha koleksionet kryesore të kësaj gazete. Siç e ka thënë edhe Fan Noli, ky është regjistri më i madh i shqiptarëve të Amerikës. Nëse dëshironi të studioni shqiptarët e Amerikës, lëvizjet e kësaj mërgate, unë besoj se ‘Dielli’ është burimi më i besueshëm. Kjo sepse është drejtuar nga profesionistë dhe ka vetëm pak momente kur nuk ka mbuluar dot jetën e komunitetit, pasi ka pasur kohë kur ka qenë e mbyllur. Unë do t’u thoja studentëve të interesuar që këtu ka edhe botime të ditëve të sotme. Pra, përveç botimeve të hershme ne kemi këtu edhe botime të sotme të diasporës apo nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia”, shprehet kryeredaktori i gazetës “Dielli”.
“Vatra” mbajti këtë verë kuvendin e saj. Nga ky kuvend doli edhe kryesia e re. Kryetar i saj u zgjodh Dritan Mishto dhe një prej nënkryetarëve të rinj është Adriatik Spahiu, i cili drejton edhe degën e Xheksonvill në Florida. Mishto, i cili ka shërbyer më herët edhe si konsull i Shqipërisë në Nju-Jork na rrëfen emocionet për drejtimin e “Vatrës”.
“Unë jam shumë i përunjur përpara anëtarësisë së ‘Vatrës’ për nderin e madh që më bënë. Është një përgjegjësi shumë e madhe pasi ‘Vatra’ përmban në një mënyrë jo vetëm historikun e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm historikun edhe të lëvizjeve që diaspora ka bërë për çështje madhore shqiptare, por edhe duke qenë një bashkëudhëtare me pavarësinë e Shqipërisë deri në ditët e sotme, ‘Vatra’ mban një raport edhe me vetë Shqipërinë. Ndaj e ndjej si një përgjegjësi shumë të madhe”, thotë ai.
Po çfarë do të sjellë të re për federatën kryesia e dalë nga kuvendi i qershorit?
“‘Vatra’ është një anije e madhe në detin e diasporës shqiptare dhe çdo lëvizje e re ndihet dhe krijon tallaz. Ekipi i ri i ‘Vatrës’ nuk ka asnjë qëllim që të lëvizë nga shinat nga platformat nga çështjet që shqetësojnë sot shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndaj nga kjo pikëpamje, veprimtaria e ‘Vatrës’ do të jetë e njëjtë, do të jetë e shëndoshë dhe efikase. Natyrisht mosha, energjitë, ekipet e reja sjellin gjithmonë efekte pozitive. Në këtë drejtim ne kemi nisur një strategji për rivitalizimin e anëtarësisë së federatës ‘Vatra’, për afrimin e shumë të rinjve në federatën tonë dhe për federimin e organizatave të tjera të komunitetit. Kontakti me qeverinë amerikane do të vazhdojë dhe do të thellohet akoma më shumë, pasi ne duam t’i tregojmë shtetit amerikan se shqiptarët, edhe në Amerikë, janë mbështetës dhe ushqyes të miqësisë shqiptaro-amerikane. Ne kemi shpalosur një platformë për të afruar pranë federatës ‘Vatra’ për bashkëpunim, organizata të tjera të komunitetit, por gjithmonë duke ruajtur identitetit e tyre. Tashmë ka shumë organizata kulturore dhe krahinore, të cilat ‘Vatra’ i respekton. Ne i falënderojmë që ata vijnë te ‘Vatra’, shkëmbejnë mendime, kërkojnë ndihmën tonë për organizimin e aktiviteteve dhe për mbështetjen e çështjeve të tyre, pasi zëri i ‘Vatrës’, ne duhet ta pranojmë, është zëri më i fortë i shqiptarëve të Amerikës. Pra, bashkëpunimi ynë do të thellohet më tej me të gjitha organizatat”, zotohet Mishto.
Ndërsa nënkryetari i federatës, njëherësh kryetar i degës Xheksonvill në Florida, Adriatik Spahiu, përpos synimeve të grupit të ri drejtues të federatës, na tregon për aktivitetet e komunitetit shqiptar në shtetin e Floridas, të cilat nuk janë të pakta.
“Ceremonia për 100 vjetorin e ‘Vatrës’ pesë vjet më parë, që përkoi edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ishte një moment i veçantë për mua, por që rezultoi i tillë edhe për komunitetin shqiptar në Florida. Në atë takim unë mora përsipër zgjerimin e ‘Vatrës’ me degë edhe në Florida. Sot, pas pesë vjetësh, në Florida nuk kemi vetëm një degë, por pesë të tilla. Ne kemi degë në Xheksonvill, ku unë jam kryetar, kemi në Orlando, në Tampa dhe në Fort Llouderdejll. Synimi i degëve tona në Florida është shtimi i anëtarësisë dhe promovimi e ruajtja e vlerave kombëtare. Në këtë drejtim, në Xheksonvill ne kemi hapur të parën shkollë shqipe, që fëmijëve tanë t’u mësojmë edhe gjuhën amtare. Gjithashtu organizojmë aktivitete kulturore ku spikat festivali shqiptar në Florida dhe një veçanti është Dita e Naimit. Në ditën e lindjes së poetit të madh rilindas në organizojmë një aktivitet letrar ku flasim për veprat e ti dhe rolin e madh që ka pasur dhe ende ka ndër shqiptarët. Aktivitetet sportive, siç është edhe turneu i përvitshëm në futboll, janë pjesë e veprimtarive tona. Të gjitha këto së bashku ndihmojnë që komuniteti shqiptar në Florida të jetë sa më aktiv dhe të mos harrojë kurrë rrënjët. Një meritë e veçantë për të gjitha këto i shkon anëtarësisë së Vatrës në të katërta degët në Florida”, na tregon Spahiu.
Teksa vizitojmë mjediset e selisë në shoqërinë e drejtuesve të saj dhe shfletojmë disa libra në bibliotekë, na krijohet përshtypja se po udhëtojmë në histori, që na çon pas deri në 105 vite. Kudo nëpër mure ka fotografi të vjetëra, që nga drejtues të “Vatrës” e deri tek anëtarë të thjeshtë, ndër vite. Largohemi nga selia e federatës dhe na duket sikur lëmë pas historinë, e ndërsa teksa largohemi nga Bronksi, ngjan sikur po largohemi nga një copë Shqipëri. /tesheshi.com/