Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se Europa nuk mund të mbështetet më tek Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj ushtarake dhe apeloi për një politikë të re europiane të sigurisë përballë forcimit të nacionalizmit dhe ekstremizmit.
“Europa nuk mund të mbështetet më tek Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj”, tha Macron në një fjalim për politikën e Jashtme në kohën që ai e cilësoi vetë “krizë të momentit” për politikën europiane dhe multilateralizmin global. “Është në dorën tonë të garantojmë sigurinë europiane”.
Macron u zotua të nxiste propozime të reja në muajt e ardhshëm në mënyrë që BE të rrisë bashkëpunimin e mbrojtjes, sikundër edhe bisedimet me Rusinë për marrëdhënien e tyre për sigurinë, një çështje që është shqetësim për vendet në cepin lindor të Europës.
Centristi francez pro-europian paralajmëroi që Europa nuk është vetëm në nisje të një beteje të gjatë për të adresuar forcimin e nacionalizmit, por edhe që rendi botëror i pasluftës, i dominuar nga Perëndimi është në rrezik.
Macron erdhi në pushtet vitin e kaluar pasi mposhti kandidaten e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen duke u mbështetur në një manifest që premtonte shpëtimin e Europës përmes promovimit të një Europe më të integruar, e duke e nxjerrë veten si lider i progresistëve përkundër nacionalizmit të vijës së ashpër.
Testi i parë madhor politik për lëvizjen e tij të re centriste, “Republika në Marshim” janë zgjedhjet europiane të pranverës së ardhshme, ku ai shpreson të dëshmojë se terreni centrist mund të reduktojë rritjen e partive të së djathtës ekstreme dhe euroskeptikët në Europë.
Por, Macron ka pohuar se ka pasur shumë ndryshime gjatë vitit të shkuar. Ai paralajmëruar për një “zgjim të nacionalistëve dhe ekstremeve” në Europë dhe dënoi atë që e quajti “izolacionizëm agresiv” të presidentit amerikan Donald Trump.
Komentet e Macron pasojnë distancimin e vazhdueshëm të Trump nga aleanca ushtarake e NATO-s, që grupon Shtetet e Bashkuara me pjesën më të madhe të Europës dhe që ka vulosur sigurinë europiane që nga lufta e dytë Botërore. “ Partneri me të cilin Europa ndërtoi rendin e pas luftës botërore duket se po i kthen shpinën kësaj historie të përbashkët”, u tha ai ambasadorëve francezë të mbledhur në pallatin Elize.
Macron mbrojti politikën e tij të mbajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë me Trump, i cili i ka tronditur aleatët europianë duke dalë nga pakti global për klimën, duke vendosur sanksione jashtë-territoriale mbi Iranin dhe duke caktuar tarifa me BE-në për çelikun dhe aluminin.
Macron tha se komunikimi më Uashingtonin duhet të mbahej hapur dhe konstruktiv, por vendet europiane duhet të punojnë së bashku për të dalë me alternativa ndaj politikave të ashpra izolacioniste. “Çështja është jo nëse unë e marr për krahu Trump në samitin e ardhshëm ndërkombëtar: çështja është se çfarë do të rishpikim”.
Ai tha se momente të tilla si vota Brexit, zgjedhja e Trump apo suksesi i Viktor Orban të Hungarisë janë të lidhura me një krizë të globalizmit modern dhe tashmë është në dorën e vendeve të rishikojnë qeverisjen globale dhe ta bëjnë globalizmin më “njerëzor”.
Por, që kur Macron u zotua vitin e kaluar për të rishikuar BE-në – duke nxitur reforma të thella politike, përfshirë një buxhet të ndarë për eurozonën – ai është shfaqur i izoluar, midis një rritjeje të euroskeptikëve dhe partive nacionaliste nga Italia në Hungari dhe avancimit të arritur nga e djathta ekstreme në Gjermani.
Macron këmbënguli që Franca duhet të nxisë përpara reformat e BE-së për shkak “se ne po paguajmë çmimin e disa dekadave të një Europe që është shndërruar në të trullosur, të dobësuar dhe nuk ka paraqitur mjaftueshëm sugjerime”. Ai shtoi: “A mendojnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara për Europën si një fuqi me pavarësi të ngjashme me të tyren? Nuk është kështu”.
Macron tha se Franca e respekton votën Brexit në Britani dhe dëshiron të mbajë një marrëdhënie të fortë e strategjike me Londrën, por ai paralajmëroi se nuk do të lejonte që kjo lëvizje të jetë në dëm të unitetit në BE, gjë që e ka vendosur si prioritet.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/