Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn është treguar “i prerë” me Kosovën, sa i takon çeshtjes së liberalizimit të vizave.
Gjatë një takimi të zhvilluar me krerët e partive në pushtet dhe atyre në opozitë, Hahn ka deklaruar se pa zgjidhur më parë çështjen e demarkacionit kufitar me Malin e Zi, nuk do të ketë liberalizim të vizave.
“Isha i qartë se pa zgjidhjen e demarkacionit nuk ka liberalizim. Jemi të gatshëm të ndihmojmë, por në fund vendimi duhet të merret nga institucionet e Kosovës, shpresoj që këto çështje të zgjidhen”, tha Hahn.
Ndërkohë, gjatë një konference për media, që komisioneri Johanes Hahn ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se çështja e demarkacionit me Malin e Zi duhet të zgjidhet sa më shpejtë për të mirën evropiane të të dyja vendeve.
“Sa më parë që t’i zgjidhni këto konflikte aq më mirë do të jetë, sa më gjatë t’i mbani aq më problematike dhe të vështira do të jetë të zgjidhen. Është në interesin e të gjithë neve, është në interesin e Kosovës dhe Malit të Zi sa i përket perspektivës evropiane”, shtoi Hahn.
Komisioneri gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, ka zhvilluar takime edhe me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Ai ka deklaruar se marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës janë intensifikuar.
“Institucionet e fuqishme dhe efikase, janë shumë të rëndësishme për implementimin e suksesshëm të MSA-së. MSA paraqet një kontratë që lidh Kosovën me BE-në. Është shumë e rëndësishme që e kemi ketë marrëveshje pasi që krijon zhvillim ekonomik”, ka deklaruar Hahn.
Ai ka kërkuar që të punohet më shumë edhe në forcimin e shtetit ligjor. Në veçanti, ai ka kërkuar luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit./tesheshi.com