Një italiane dhe një grek, përkatësisht: Federica Mogherini, shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian dhe Komisioneri për Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopulos, do tu bëjnë të ditur kosovarëve dy kushtet e vështira si këmbim për liberalizimin e vizave.
Siç bën të ditur një burim diplomatik i BE-së në Tiranë, vendimi për liberalizimin e vizave ka ardhur falë këmbënguljes së fortë së Kancelares Angela Merkel, e cila ka qenë “partizania” për t’i hapur dritën jeshile” Kosovës dhe Turqisë.
“U kam dhënë fjalën liderve të tyre kundrejt sakrificave të mëdha”, mësohet të ketë thënë zonja Merkel.
Por “nuk kemi parë gjë akoma”, pasi sot Mogherini do të bëjë të ditur se shumë nga politikanët e Kosovës do të duhet të jenë pjesë e hetimeve për krime lufte, krim të organizuar dhe korrupsion në kuadër të Gjykatës Speciale por edhe hetimeve të Prokurorisë së Kosovës.
Ndërkaq, Avramopulos do të bëjë të ditur se nëse do të ketë largim masiv të kosovarëve në Perëndim pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, atëherë do të rikthehet menjëherë regjimi i mëparshëm.
Axhenda
Gjatë vizitës në Prishtinë, Mogherini do të takohet me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, si dhe do të mbajë një fjalim në Kuvend, i cili do të mblidhet në një seancë solemne.
Në seancë, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe partitë opozitare, të cilat këto dy muajt e fundit kanë bojkotuar punimet e kuvendit.
Për nder të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Prishtina sot është stolisur me flamuj të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Vizita e saj vjen një ditë pasi Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Propozimi i Komisionit Evropian pritet të miratohet tani edhe nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian.
Fillimi i lëvizjes së qytetarëve të Kosovës pa viza në zonën Shengen, sipas autoriteteve të Kosovës mund të zgjasë nga 3 deri në 6 muaj.
Deri atëherë, Kosovës i mbetet të përmbushë edhe dy kushte thelbësore. Kushti i parë dhe më i ngutshëm është ai i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. Ndërkaq kushti tjetër, që mbetet i përhershëm dhe si standard evropian, ka të bëjë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. /tesheshi.com/