Katër vjet më parë, fotografja italiane nga Firence, Eleonora Costi, po i hidhte një sy një gazete lokale kur ndeshi me një artikull në lidhje me një vilë të braktisur të shekullit të 14-të që ndodhej pak kilometra në veri të Milanos. “Dukej një vendndodhje e mirë për të shkrepur fotografi, kështu që vendosa të shkoj e të shoh”, thotë ajo. “Gjëja e parë që mbaj mend është ndjesia e fortë e drurit të lagur dhe një heshtje përndjekëse”.
E ndërtuar fillimisht nga familja Pusterla, prona prej dhjetë hektarësh u ble më pas nga familjet Cirivelli dhe Arconati. Gjatë shekullit të 19-të, u bë e njohur si “Vila Napoleon” pasi Napoleon Bonaparti e përdori atë si seli qendrore gjatë kapitullit italian të Luftërave të revolucionit francez. Deri në vitin 1879, qeveria e shndërroi pronën në një prej institucioneve më të mëdha psikiatrike në vend. Vetëm pas vitit 1978, kur një ligj i ri sanksionoi shpërbërjen e spitaleve psikiatrike, ndodhi që prona gati 700-vjeçare të braktisej. Asnjë përpjekje nuk është bërë prej asaj kohe për ta restauruar.
“Ishte errësirë, lagështirë dhe vërtet qetësi”, thotë Costi. “Ishte një lloj heshtje surreale që e kam ndjerë në vendet e braktisura. Sikur dikush mund të dalë nga ndonjë qoshe në çdo moment”.
Që nga ajo kohë, Costi ka vizituar më shumë se 50 villa në të gjithë Italinë veriore dhe qendrore. “Sapo nis të kërkosh, kupton se ka një botë të tërë me vende të braktisura”.
Me kalimin e viteve, ajo zhvilloi edhe një metodologji të sajën për të gjetur perla të tilla të fshehura. Ndonjëherë çelësi janë fjalët e duhura në kërkimin në Google. Herë të tjera ka të bëjë me kërkimet në gazetat lokale nëse dikush ka përmendur vila në dekompozim apo ndonjë familje që ka zotëruar dikur prona të tilla.
Edhe Google Earth ndihmon po ashtu. “Nëse i kushton vëmendje shenjave të duhura, mund t’i dallosh edhe që nga lart”, thotë ajo. “Për shembull, nëse një çati duket sikur ka pjesë të rëna, kjo është zakonisht një e dhënë premtuese”.
Në pak raste, ajo merr sinjalizime edhe nga kolegët fotografë. Por siç mund të imagjiohet, eksploratorët e interesuar në vende të braktisura mund të jenë shumë të fshehtë në ndarjen e të dhënave për zbulimet e tyre.
“Nuk është e pazakontë të ndeshesh me njerëz gjatë procesit të fotografimit”, thotë ajo. Persona të tillë janë fotografë të tjerë, shkrimtarë, grabitës të vegjël që kërkojnë për metale apo blloqe mermeri, dhe ndonjëherë, pronarët e godinave. “Një herë takova një grua të moshuar që kishte pronë të vetën një prej vilave. Pasi e komplimentova për shtëpinë, ajo më tha: Nëse të pëlqen, është e jotja!”.
Për shumë italianë që trashëgojnë prona qindravjeçare, kjo mund të përfundojë të jetë më shumë një mallkim sesa një bekim. “Shpesh, njerëzit nuk mund të përballojnë taksat e larta dhe koston e mirëmbajtjes”, shpjegon Costi, “jo më të financojnë punime restaurimi”.
Pjesë e nxitjes për punën e Costi-t është dëshira për të krijuar ndërgjegjësim për vilat e braktisura të Italisë, me shpresën që dikush të mund të ndërhyjë për t’i ruajtur ato.
“Unë e di që shumë njerëz e quajnë tërheqëse dekadencën, por për mua ajo që më trondit nga këto vende është këmbëngulja e së bukurës”, thotë ajo. “Eshtë tronditëse të shohësh një afresko nga 300 vjet më parë që ende qëndron pavarësisht lënies pasdore”.
Dekada reshjesh shiu dhe dëmtimet nga tërmetet, që nuk janë të pazakonta në Italinë qendrore, kanë sjellë balancet e tyre. “Kur vjen në një vend dhe sheh ujin që depërton në themele, e di shumë mirë se ka shumë pak për të bërë”. Në raste të tjera, sidoqoftë, përpjekjet e restaurimit mund të sjellin ndryshime.
“Vila ime e preferuar deri tani, është ajo që kam fotografuar dy vjet më parë, sapo del nga Milano”, thotë Costi. Kuru fotografja e vizitoi atë së pari, kjo shtëpi e veçantë ishte në një gjendje vërtet të keqe. Por falë restaurimit intensiv, pamja e saj e bukur është rikthyer dhe tashmë aty jeton një familje. Fotografitë e Costi-t u përdorën në njoftimin online që kërkonte blerës. “Ndonjëherë një foto e mirë mund të ndihmojë”, thotë ajo.
Gjetja e këndit më të mirë për të fotografuar mjediset e brendshme apo fakadat në kalbëzim është qartësisht pjesë e rëndësishme e punës së Costi-t. Por, po aq e rëndësishme është edhe aftësia për të imagjinuar sesi dukeshin më parë këto vende, si tingëllonin zërat dhe si ndjeheshin ata që banonin aty. “Ndonjëherë, përpiqem të kap një detaj që mund të sugjerojë diçka për njerëzit që kanë jetuar aty”, thotë Costi. Pak vjet më parë, ajo hyri në një vilë që me gjasa kishte pasur për pronar një artist, pasi gjeti një dhomë të mbushur me kanavaca dhe bojëra.
“Çdo gjë atje brenda, që nga çarçafët e krevatëve e deri tek gazetat në pajisjet e kuzhinës, dukeshin sikur ishin lënë saktësisht siç ishin më parë”.
Ndjesia, thotë ajo, është pothuajse si të udhëtosh pas në një moment të ngrirë në kohë. “Unë vetëm sa mund të gërvish sipërfaqen e këtyre botëve private të humbura prej kohësh, por nuk mund të mos ndjej një ndjenjë nostalgjie për atë kohë të zhdukur e që nuk do të kthehet më kurrë”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/