Kryeministri Edi Rama vijon takimet me qytetarët nëpër rrethe duke u kërkuar atyre që të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes me anë të denoncimit të korrupsionit në administratë.
Ai ishte sot në Shkodër, ku thumboi kryebashkiaken demokrate Voltana Ademi dhe deputetin e opozitës Nard Ndoka, e nga ana tjetër kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të ndërtuar një administratë të pastër.
“Çfarë ka Nard Ndoka që hyn në Kuvend dhe bëhet edhe ministër? “Nard Ndoka ka një gjë më shumë se ju se vjen vërdallë që të duket njeri i rëndësishëm. Pse u dashka gjet një mik te Nard Ndoka dhe t’i thotë drejtorit ‘jepja këtij’?”- tha Rama.
Sipas tij fuqinë duhet ta ketë çdo njeri i zakonshëm që është anëtar i koalicionit.
“Si do funksionojë kjo? Nëse platforma do të marrë një denoncim konkret dhe thotë “unë jam filani, kam këtë numër telefoni dhe këtë ID dhe kam këtë shqetësim me këtë drejtor. Shteti i qepet pas derisa ta zgjidhë dhe ti japë përgjigje”- sqaroi kreu i qeverisë.
Sipas tij shumica e problemeve janë tek gjykatat, të cilave pritet t’u jepet përgjigje me anë të Vetingut.
“Aty nuk ka magji për të bërë. Më në fund ka nisur vettingu. Në shtator-tetor do fillojnë edhe rezultatet. Por nuk është një gjë që rregullohet sa hap e mbyll sytë se janë 27 vjet mbrapshti. Kush thotë që rregullohet sa hap e mbyll sot gabon. Problemet e gjykatave nuk i zgjidh dot qeveria dhe të themi që ti ke të drejtë. Vettingu do llojë një klimë presioni real mbi gjykatësit dhe prokurorët që të jenë më të përgjegjshëm”, theksoi kryeministri shqiptar.
/tesheshi.com/