Pothuajse të gjithë kandidatët për kryetar të komunave gjatë tërë fushatës kanë bërë premtime të njëjta, për më keq ato që i kanëshpalosur partitë e tyre që nga paslufta.
Se nuk ka risi dhe vetëm bëjnë premtime paushalle edhe pa qenë në kompetencë të tyre e thonë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku dominojnë premtimet të cilat ndërlidhen më përmirësimin e kushteve infrastrukturore.
Artan Murati, përfaqësues i Institutit Demokratik të Kosovës thotë se bien në sy premtimet e vjetra si asfaltimi i rrugëve, furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të zeza, ngritja e cilësisë në arsim, e shërbimet shëndetësore më të mira.
“Pak a shumë të gjitha premtimet e dhëna janë të njëjta me ato të vitit 2013. Pra, kryesisht të fokusuara në përmirësimin e infrastruk-turës rrugore dhe në përmirësimin e shërbimeve komunale”, thotë Murati për “Radio Kosovën”.
Kurse përfaqësuesi i Demokracisë në Veprim, Albert Krasniqi, thotë se monitoruesit e tyre anë vërejtur edhe premtime të cilat vështirë janë të realizueshme nga niveli lokal.
“Partitë politike kanë hyrë më të përgatitura në garë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Megjithatë shpesh herë bëjnë premtime të cilat janë vështirë të zbatueshme, pasi që janë në kompetencë të nivelit qendror e jo të atij lokal. Ata po mundohen të marrin votë aty ku munden me premtime shpeshherë ad-hok, vetëm sa për të përmbushur një kërkesë që mund të vije nga votuesit në atë moment”, thotë Krasniqi.
Ndërkaq, Isuf Zejna, nga “Demokracia Plus”, theksoi se edhe pse partitë politike kanë qenë më të matura në premtime, përsëri disa nga kandidatët për kryetarë komunash premtojnë projekte, për të cilat madje nuk kanë as mbulueshmëri financiare.
Kujtojmë se partitë politike me kandidatët e tyre për kryetarë komunash dhe asamblistë, mund të bëjnë premtime për qytetarët vetëm deri të premten në mesnatë. E shtuna është heshtje zgjedhore, për derisa të dielën qytetarët votojnë në zgjedhjet lokale 2017. /tesheshi.com/