Kryeministri ka gjetur fermerët e Peqinit për të ndarë hallet e tij politike, ndonëse çdonjëri prej tyre është përqëndruar tek ai gjithë “sy e veshë”, në pritje të ndonjë projekti a vendimi që favorizon sektorin e bujqësisë, apo mbështetje përmes subvenciominit të tyre. Kjo pasi vizita e një kryeministri në një zonë provinciale shihet më shumë nga banorët, si një dritë në fund të tunelit për zgjidhjen e problemeve të tyre sociale, që kanë të bëjnë me tokat, ujitjen, tregëtimin e produkteve etj., e jo debate mbi vettingun apo integrimin në BE, ku me shumë gjasë asnjë prej të pranishmëve as nuk ja ka idenë se çfarë nënkuptohet me këto togfjalësh.
Kështu, një ditë pas deklaratave të Bundestagut gjerman se Shqipëria nuk i ka bërë ende “detyrat e shtëpisë” për çeljen e negociatave drejt integrimit evropian, kryeministri Edi Rama etiketon opozitën dhe sistemin e drejtësisë si përgjegjësit e kësaj situate.
Kreu i qeverisë tha se Partia Demokratike dhe gjykatat po pengojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke mos kaluar ligjin e Vettingut.
“Gjykatësit me PD-në kanë krijuar një barrikadë për ligjin, i kanë bërë vendit hatatë më të mëdha në këto 25 vite. Partia Demokratike bashkë me gjyqtarët duan të pengojnë Reformën në Drejtësi. Europa na e ka bërë të qartë, që të “pastrojmë” gjyqësorin nga të korruptuarit, që më pas të ulen e të bisedojnë me ne”, u shpreh kryeministri.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Rama u garantoi atyre investime specifike në sektorin e bujqësisë, si fusha më e rëndësishme për ta.
“Jemi duke investuar fuqimisht që të pastrojmë kanalet ujitëse dhe kulluese, pasi për 25 vite nuk u vu dorë. Përsa i përket ligjit të pronës që miratuam, hera e parë që jep një zgjidhje përfundimtare të çështjes dhe përkrahet nga Europa, pasi ligji 7501 I’u mohoi titujt e pronësisë”, tha lideri i mazhorancës.
Sipas tij, mbështetja për fshatin duhet të jetë e madhe, prandaj po vihet në dispozicion edhe një fond kredie për fermerin.
“Bankat e nivelit të dytë i kthejmë në aleate të qeverisë dhe fermerëve. I kemi dëgjuar ata të SHQUP, por ne e kemi rritur mbështetjen e shtetit për fermerët, përpos fondit”, shpjegoi Rama./tesheshi.com