Vetëvendosje e Albin Kurtit ka kërkuar sërish anulimin e vendimit të qeverisë “Haradinaj” për dhënien e 53 milionë eurove shtesë kompanisë “Betchel & Enka”, për autostradën “Arbër Xhaferi”.
Në një konferencë për media, deputeti i VV-së Liburn Aliu tha se sipas informacioneve që kanë, ende nuk është nënshkruar kontrata me këtë kompani, çka tha se i jep mundësi qeverisë të anulojë këtë vendim.
Aliu, më tutje shtoi se nëse kjo kontratë është nënshkruar organet e drejtësisë duhet t’i gjejnë fajtorët për dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit.
“Kërkesat e rezolutës lidheshin me transparencën dhe parandalimin e dëmit që i shkaktohet buxhetit. Ka qenë shans i mirë për qeverinë Haradinaj të hiqte barrën. Moskalimi i rezolutës dhe kokëfortësia e Qeverisë është shqetësues tej mase Dhe na obligon të veprojmë. 53 milionë euro janë tepër të vlefshme, do të nderoheshin 10 shkolla, çerdhe. Ende nuk është lidhur kontrata, ka ende kohë që dëmi të evitohet duke u anuluar ky vendim. Kërkojmë nga organet e drejtësisë të hetojnë dhe të mos lejojnë procedimin tutje te vendimit. Nëse është nënshkruar kontrata, drejtësia duhet të veprojë drejt hetimit dhe sjelljes para drejtësisë së autoreve. Organet e shtetit duhet t parandalojnë dëmin dhe ato para të shkojnë në sektorë që Kosova ka nevojë”, tha Aliu.
Ai më tej tha se shteti duhet të veprojë.
“Qeveria duhet të anulojë vendimin. Nëse s’ka rënë shteti, ai duhet të veprojë dhe të parandalojë nëse ende nuk ka ndodhur, nëse ka ndodhur t’i vendosë para drejtësisë fajtorët”, tha Aliu. /tesheshi.com/