Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, respektivisht aktivisti i kësaj dege, Arbër Zaimi, kanë kërkuar nga kryevetëvendosësi Visar Ymeri, që të jap përgjegjësi për deklaratat politike që i bëri të enjten mbrëma në një debat televiziv. Sipas tij, nuk është e nevojshme që të njëjtit t’i kërkohet dorëheqja.
Zaimi, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, thotë se ambiciet janë legjitime për sa kohë zhvillohen brenda rregullave dhe statutit.
Postimi i plotë:
Nëse fjala ime ka ndonjë peshë tek aktivistët, ju ftoj që ashtu siç ka bërë shumica juaj deri më tash, të mos shqetësoheni dhe të mos shani. Lëvizja nuk është në rrezik, sepse debatet nuk janë rrezik.
Unë as nuk besoj se askush nga ata që kushtëzojnë apo janë kundër një figure, janë të infiltruar nga dikush apo janë pjesë e ndonjë organizate sekrete. Thjesht ata veprojnë si pasojë e ambicies së tyre, ndoshta edhe si pasojë e frikës nga ndonjë hakmarrje e mundshme.
Ambiciet janë legjitime për sa kohë zhvillohen brenda rregullave dhe statutit. Por është detyrë e secilit aktivist që të mos frikësojë askënd, sepse hakmarrje dhe përjashtime nuk do të ketë.
Të mos harrojmë se edhe ata pak veta që po bisedojnë për kushtëzime, kanë kontribuar për Lëvizjen dhe kanë qenë shokë e bashkëveprimtarë të vlefshëm, dhe ende mund të jenë nëse tërhiqen prej pozicionit kushtëzues. Por edhe nëse zgjedhin rrugë tjetër politike, besoj se do të ruajnë parime të ngjashme me ne.
Problemet e Lëvizjes nuk zgjidhen me pasion e mendjelehtësi në rrjete sociale, ato mund të adresohen vetëm duke diskutuar qetësisht dhe gjakftohtësisht mbi to, duke zbatuar statutin dhe duke menaxhuar në mënyrë transparente resurset e Lëvizjes.
Nuk ka nevojë për të kërkuar dorëheqje të kryetarit, por vetëm përgjegjësi për fjalën politike dhe zbatim të statutit që e kemi miratuar bashkarisht. /tesheshi.com/