Veteranët e UÇK’së kanë zhvilluar një protest para Kuvendit kuke kundërshtuar ngritjen e Gjykatës Speciale.
Për më shumë se 4 orë, veteranët e UÇK-së, të përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, qëndruan para Kuvendit të Kosovës, në kohën kur deputetët po diskutonin ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.
Organizatorët e protestës u bënë thirrje deputetëve të mos i votojnë këto ndryshime kushtetuese, pasi – siç thanë ata, – po rrezikohet sovraniteti i Kosovës.
Protestës së veteranëve të luftës së UÇK-së i janë bashkuar për pak minuta edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, si Pal Lekaj, Time Kadriaj dhe Lah Ibrahimaj nga AAK; Rexhep Selimi, Besa Baftiu dhe Salih Salihu nga lëvizja Vetëvendosje; si dhe Haxhi Shala e Shykrije Bytyqi nga “Nisma për Kosovën”.
Gjatë kohës që po protestohej, pati një mosmarrëveshje mes protestuesve. Një veteran i zonës operative të Llapit akuzoi udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta se, me qëllim nuk kanë ftuar një numër të madh të veteranëve në protestë. Ai madje u tha se, të gjithë këta udhëheqës janë shitur te zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Situata është qetësuar, pasi sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, e tërhoqi veteranin nga turma.
Në momentin kur Kuvendi i Kosovës mori pushim, për të vazhduar seancën pas një ore, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, bëri thirrje që protestuesit të shpërndaheshin, duke thënë se tashmë deputetët e kanë kuptuar kërkesën e tyre dhe nuk do të duhej të ktheheshin fare në seancë.
Protesta ka përfunduar e qetë, por gjatë gjithë kohës pati prani të shtuar të forcave policore brenda oborrit të Kuvendit./tesheshi.com/