Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëheri figura më e përfolur politike, ka mbajtur një fjalim me rastin e diplomimit të ushtarëve të rinj të FSK-së.
Fjalimi i tij u soll kryesisht rreth detyrës së ushtarëve për të mbrojtur kufijtë e Kosovës nga çfarëdo agresioni.
“Urime iu qoftë uniforma e Ushtrisë së Kosovës. Lavdia qoftë e përjetshëm të gjithëve që kanë rënë në altarin e lirisë, e ardhmja qoftë me ju. Ushtria e Kosovës është element i domosdoshëm stabilitetit dhe paqes në rajon. Nuk e kërcënojmë askënd – s’e kemi bërë kurrë – por nuk lejojmë askënd të na e cenojë lirinë dhe shtetin tonë. Kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë, janë të paprekshëm sot e gjithherë”, ka thënë Veseli.
Ideja për ndryshimin e kufijve ka trazuar si kurrë më parë skenën politike në Kosovë.
Veseli, i cili tani drejton partinë që e drejtonte deri vonë presidenti, mbetet mbështetës i zëshëm i mosprekjes së kufijve, qëndrim ky që e ka larguar dukshëm nga “miqësia” me të. /tesheshi.com/