Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka emëruar Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer, si Përfaqësuesin e tij Special për Ballkanin Perëndimor.
“Në atë rol, Palmer do të kryesojë përpjekjet për të forcuar angazhimin diplomatik të SHBA në mbështetjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe një përqëndrim në integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
Si Përfaqësues Special, Palmer do të udhëtojë në Slloveni më 1 shtator për të marrë pjesë në një Forum Strategjik. Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Kuintit për Ballkanin në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takimet në Vjenë dhe Podgoricë më 4 dhe 10 shtator.
Përveç rolit të tij si Përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit, Palmer do të vazhdojë të shërbejë si Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziane që nga viti 2018. Ai më parë ka qenë Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore.
Në politikën shqiptare, Mathew Palmer njihet për qëndrimet e tij të forta kundër aksionit opozitar me djegie mandatesh e bojkot zgjedhjesh. Ai ishte zëri më i fuqishëm i Uashingtonit muaj më parë, duke përcjellë mbështetje për zgjedhjet e 30 Qershorit, e gjithashtu për vijimin e Reformës në Drejtësi.
Për këtë arsye, ai u shndërruar në të urryerin e opozitës, ku media pranë saj nisën të gërrmonin në të kaluarën e tij. /tesheshi.com/