Në mbledhjen e mëngjesit të qeverisë, e natyrës së “jashtëzakonshme” për shkak të pasojave të tërmetit, kryeministri Rama kujtoi se mesi i dhjetorit duhet t’i gjejë familjarët e atyre që humbën jetën në shtëpi të reja.
“Data 15 është afati i fundit për të sistemuar në shtëpi ata që kanë humbur të afërmit. Edhe ata kalamajtë që ishin mbrëmë do shkojnë në shtëpi (Alesio dhe Aurelio). Do kujdesemi për njërin prej tyre që e ka nënën në spital. Do i japim shtëpinë, do i vëmë një kujdestare”, theksoi Rama.
Ai gjithashtu kumtoi dhe faktin se deri në janar hotelet duhet të jenë boshatisur nga të pastrehët, të cilëve do u jepen të tjera zgjidhje.
Hotelet duhet të fillojnë të zbrazen pas vitit të ri. Hapja e dyerve tani duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse mund të ketë disa që thonë hajde se po shkojmë në hotel të kalojmë Vitin e Ri aty. Në hotel tani janë 4000 e disa qindra persona që janë më të prekurit, jo të gjithë, por kjo tani është kapërcyer. Familjeve në hotele do iu ofrojmë dy rrugë: rrugën e qirasë me lekë në dorë, merr fondin derisa ne të japim shtëpinë e re. Brenda atij fondi në Durrës dhe Thumanë ka dhe një ekstra për transportin. Rruga tjetër është t’ia ofrojmë ne. Kjo është shtëpia me qira, futu. Ne i kemi alternativat prandaj nuk kanë pse të qëndrojnë në hotel. Familjet që do futen me qira të skanohen. Jo ata që nuk kanë lidhje me tërmetin drejtpërdrejt. Ata të kthehen atje ku ishin”, tha Rama.
Ndërkohë, shefi i qeverisë bëri thirrje për shfrytëzimin e stoqeve në apartamente, por duke paralajmëruar ndërtuesit që mos fërkojnë duart për të fituar me patjetër.
“Durrësi është pak më problem. Po përgatitet edhe thirrja për të dhënë leje për blerjen e apartamenteve. Çështje e pak ditëve. Është e rëndësishme të informohet publiku me një thirrje për ata që kanë apartamente stok me një çmim të ulët. Do marrim çmimin më tavan të ulët që do të përcaktojmë, përndryshe nuk do të procedojmë. Nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave”, tha Rama.
Në fund, shefi i qeverisë tha se kjo do ishte dhe mbledhja e fundit e jashtëzakonshme e qeverisë, me shkak pasojat e tërmetit.
Kjo lloj mbledhjeje u zhvillua çdo mëngjes, që të pasnesërmen e tërmetit. /tesheshi.com/