Ministria e Energjisë në Lituani njoftoi se shteti baltik nga sot nuk do të importojë energji elektrike nga Rusia dhe se nuk do të ketë më gaz dhe naftë ruse në atë vend.
Ministri Dainius Kreivys tha se ishte një moment historik i rëndësishëm jo vetëm në rrugën e Lituanisë drejt pavarësisë energjetike, por edhe një shprehje solidariteti me Ukrainën, raportoi portali lituanez Delfi.
“Ne nuk mund të lejojmë që paratë tona të financojnë makinën ushtarake ruse,” tha Kreivys.
Nevojat e Lituanisë për gaz natyror plotësohen nga terminali LNG në Klaipeda, ku gazi mbërrin nga Shtetet e Bashkuara.
Kur bëhet fjalë për energjinë elektrike, Lituania do të mbështetet në prodhimin dhe importet nga vendet e Bashkimit Evropian përmes Suedisë, Letonisë dhe Polonisë.
Lituania ndaloi importin e gazit nga Rusia në fillim të prillit.
Ky vend ish-sovjetik në Balltik është ndër ato që i janë bashkuar tërësisht Perëndimit që pas ‘90-ës. /tesheshi.com/