Kryebashkiaku Veliaj tha se nuk do ketë fushatë ditën e Fiter Bajramit, duke arsyetuar se kështu duhen respektuar të gjithë ata besimtarë të cilët janë sipas tij dhe pjesë e angazhimeve pranë mazhorancës.
“Nesër do ta ndërpresim fushatën zgjedhore sepse besoj që, në respekt të besimtarëve që janë pjesë e fushatës sonë, të shumë kandidatëve për kryetar bashkie që kanë agjëruar, që janë myslimanë dhe e praktikojnë, por edhe në shenjë respekti të të gjithë komunitetit mysliman, besoj se nuk ka vend të flasim për politikë, por të flasim më shumë për vëllazëri dhe për gjërat që na bashkojnë se sa për dallimet që mund të kemi mbi qytetin”, tha kreu i Bashkiësë së Tiranë, gjatë një vizite në Xhaminë e Madhe të Tiranës në ndërtim.
“Jam shumë i nderuar që shoh bashkë me mikun tim Bujarin, se sa ka ecur puna për Xhaminë e madhe të Tiranës. Jam i bindur se 3-4 muaj punë me kaligrafinë dhe rifiniturat do të mbyllen brenda këtij viti, e do t’i japim Tiranës një tjetër stoli. Brenda një kilometri katror do të kemi shprehjet arkitekturore të të gjitha besimeve të qytetit tonë, siç i ka hije një qyteti që i respekton, i vlerëson të gjithë dhe që jeton mbi bazat e shëndosha të harmonisë fetare, besimit dhe vëllazërisë që kemi me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.
Ndër të tjera ai njoftoi se parkingjet e Tiranës, të martën do jenë falas në kuadër të Fiter Bajramit. /tesheshi.com/