Nga Entela Canaj
Janë parë shumë ngjashmëri mes kryebashkiakut të ri të Tiranës Erjon Veliaj dhe atij të Prishtinës Shpend Ahmetaj. Nuk bëhet fjalë për ngjashmëri fizike por për modelin e kryebashkiakut, që ata kanë dashur të sjellin në Shqipëri dhe Kosovë.
Ndonëse Shpend Ahmeti ka disa vite kryekomunar dhe Erjon Veliaj ka pak javë që është emëruar, sërish është parë e njëjta strategji dhe mënyrë e ndjekur për të realizuar programet vendore, por sidomos për të krijuar imazhin e një kryebashkiaku ndryshe, modest, i thjeshtë, larg luksit dhe shumë afër qytetarëve.
Në ditët e para të punës së tij si kryebashkiak i Tiranës, Erjon Veliaj u pa të ecte në këmbë, pa makinë, u fotografua tek lëvizte me linjat urbane apo tek pedalonte me biçikletë (gjatë fushatës).
Të njëjtën taktikë ka ndjekur më herët edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në ditët e para të punës së tij. Madje të dy janë zotuar se do të shesin edhe makinat luksoze që kanë përdorur paraardhësit e tyre.
Falsitet apo modesti, kjo do të shihet në vijim nëse Erjon Veliaj do të heq dorë nga makina luksoze që pati përdorur ish-kryetari Basha dhe do të vijë çdo ditë në punë me autobus linje? Përtej idesë së tyre për të transmetuar tek qytetarët thjeshtësi dhe barazi, fatkeqësisht kjo metodë nuk është origjinale, por “e vjedhur nga politikanë të vendeve të zhvilluara të botës, të cilët kanë hequr dorë nga automjetet dhe veshjet e luksit dhe shkojnë në punë me biçikleta apo duke përdorur metronë.
I tillë është rasti i kryeministrit të një prej vendeve më të pasura në Evropë dhe në botë, Holandës, Mark Rutte, i cili ka zgjedhur një mënyrë shumë të veçantë për të shpalosur modestinë e tij. Ai lëviz gjatë gjithë kohës me biçikletë, duke evituar thuajse gjithmonë mjetet e tjetra të transportit.
Ai nuk përdor makina luksoze, por autobus apo tramvaj për të shkuar në punë. Çdo ditë, pëveçse në ato me shi, ai shkon në zyrën e tij me biçikletë dhe kthehet po me biçikletë. Madje, atë e përdor edhe kur shkon për pazar apo veprimtari të tjera. Ai e merr atë edhe kur shkon për ndonjë takim jashtë shtetit, siç ishte rasti kur ishte në Izrael.
Po ashtu së fundmi edhe në Maqedoni një ekspert i huaj ka dhënë “leksion” për zyrtarët shqiptarë. Eksperti i Belgjikës, Piter Van Houten, mbikëqyrës i grupit punues në Maqedoni, tregohet shumë i kursyer dhe nuk përdor mjete të transportit luksoz. Në vend të veturave luksoze dhe mercedesave të shtrenjtë, eksperti belg ka zgjedhur biçikletën për të lëvizur në përditshmërinë e tij.
Qëndrim redaksional
Është vërtet me fat për një popull kur i bie të ketë vërtet udhëheqës modestë, në sjelljë dhe praktikën jetësore. Por nuk është me fat kur i bie të ketë mbi krye njerëz që aktrojnë. Modestia është një nocion mjaft i gjerë që ngërthen në vetëvete shumëçka dhe jo vetëm mënyrën e të lëvizurit. Mund të përdorësh biçikletën, urbanin, makar dhe këmbët për të shkuar në punë, ndërkohë që në aspekte të tjera të drejtimit të punëve të jesh kokra e arrogantit, ose më keq akoma e të paaftit. Në këtë rast nuk vlen asnjë lek akti yt që të jep statusin “I popullit dhe për popullin”. Ndërkohë, sjellje të tilla qeveritare me elementë modestie katandisen në të pështira kur është fjala për akte që shfaqen befasishëm tek individi dhe të cilat nuk janë vijueshmëri e natyrshme e karakterit të tij ndër vite, që shfaqen më pas dhe gjatë marrjes së një përgjegjësie. /tesheshi.com/