Pas valës së papritur të arrestimeve në Maqedoni, ku mes 36 të prangosurve të akuzuar për dhunën e 27 prillit në Kuvend, shumë i përkisnin ish-pushtetit të VMRO-së, disa eksponentë të kësaj partie. presidenti Ivanov ftoi dyshen rivale Zaev – Gruevski, njëri kryeministër e tjetrit kryetar opozite. Ata u takuan në vilën Vodno për të biseduar rreth aktualitetit politik, ku Zaev e vlerësoi takimin si konstruktiv, e tha më tej se nuk mund të komentonte vendimet e gjykatave.
“Qëllimi i takimit ishte normalizimi i proceseve politike në vend, për shkak se me të vërtetë u shkaktuan reagime nga ana e qytetarëve, pasi që kishte aktivitete nga prokuroria publike dhe nga gjykatat në Maqedoni të lidhura me ngjarjet e 27 prillit, nuk do të doja t’i komentoj vendimet e gjykatave, unë bazohem në aspektin politik pasi që jam politikan dhe besoj se në Maqedoni duhet patjetër të mbizotërojë e drejta”, u shpreh Zaev. Ndërsa Gruevski nuk ishte kaq “kontruktiv”. Ai i cilësoi arrestimet si “aktin e fundit të larjes së hesapeve me maqedonasit me mendje të lirë”.
“Presidenti Ivanov, në përpjekje që t’i qetësojë tensionet në shoqëri që u paraqitën pas këtyre ngjarjeve politike, na thirri në takim. Unë i përsërita qëndrimet të cilat mbrëmë i thashë publikisht”, tha Nikolla Gruevski.
Takimi trepalësh mes Ivanov-Zaev dhe Gruevskit u realizua pasi VMRO protestoi para Gjykatës, në të cilën u sollën deputetë të kësaj partie, funksionarë dhe organizatorë të protestës për “Maqedoni të përbashkët’’ e cila degradoi në derdhje gjaku më 27 prill. Nga qeveria thonë se institucionet e vendit kanë kredibilitet të plotë që në përputhje me dispozitat ligjore të veprojnë për rastin e 27 prillit, që asnjëherë më të mos përsëritet rast i ngjashëm. /tesheshi.com/