Edhe politika kosovare ka përcjellë urime për Kurban Bajram, ku veçon si më i gjeturi nga pikëpamja stilistike, prej mesazhit josipërfaqësor, ai i Albin Kurtit.
“Nuk jemi atë që kemi secili, por jemi ajo që ua japim të tjerëve – pra, jo sa mbajmë për vete, por çka ndajmë me të gjithë”, shkroi kreu i VV-së.
Presidenti Thaçi i mëshoi bashkëjetesës fetare në urimin e tij, pasi shkroi se “në këto ditë festash edhe më shumë dalin në dritë vlerat e shoqërisë sonë: toleranca, bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare”.
Për kryeministrin Haradinaj, Kurban Bajrami ndikon në përmisimin e raporteve ndërshoqërore
“E thash më herët që ne kemi detyra të ndryshme në jetë. Por një marrëdhënie e mirë me të gjithë neve, vendin tonë e çon përpara dhe ne jemi të interesuar që këto marrëdhënie t’i kemi më të mira të mundshme”, u shpreh kreu i qeverisë së Prishtinës.
Ndërsa kryeparlamentari Veseli, gjeti rastin të shprehë atë që ai thotë së ndihet mirë me të huajt.
“Në çdo takim që kam me personalitete të vendeve të perëndimit, unë krenohem me traditën tonë fetare të karakterizuar nga toleranca mes besimeve të ndryshme dhe theksoj se modeli ynë i bashkëjetesës është një vlerë e shtuar që Kosova i jep kulturës evropiane”, tha Veseli. /tesheshi.com/