Nga Blendi Gashi
Ndërsa ka kohë që partitë opozitare dhe analistët kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, së fundmi ka njoftuar se pas zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur mes palëve në Bruksel, do të fillon edhe faza e tretë e bisedimeve.
Tahiri ka bërë të ditur se temat që do të diskutohen në raundin e tretë do të jetë Demarkacioni në mes të dy shteteve Kosovë-Serbi, si dhe reparacionet e luftës në kuadër të të cilës është pamundësimi i Serbisë që ta pengojë Kosovën në procese ndërkombëtare, heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë.
Kryenegociatorja kosovare, ka thënë se në këtë fazë është e domosdoshme përfshirja e të gjithëve, njëjtë sikurse delegacioni i Vjenës.
Por ideja e prezantuar nga Tahiri, që faza e tretë e dialogut të Brukselit me Serbinë të ketë format negociatorësh sikur “Ekipi Unitetit” në bisedimet e Vjenës, ka ngritur reagime të shumta sidomos të partive opozitare.
“Tahiri po mundohet dështimit t’i mbulojë me një ekip të përbashkët”
Opozitarët thonë se ky propozim i ministres Tahiri është një paralajmërim se Kosovën e presin koncesione të reja në dëm të shtetit.
Shkodran Hoti, zëdhënës i Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë se nga fillimi janë zhvilluar negociata të padrejta me Serbinë, pasi sipas tij çdo proces sipas tij ka sjellë veç dëme për shtetin tonë.
“Ka rrezik për koncesione të reja. Pikërisht negociatat e udhëhqura nga Edita Tahiri, e sollën përfaqësimin e Kosovës me fusnotë në rrafshin ndërkombëtar. Kjo ishte cenim i Republikës. Tahiri tani do që dështimet e saj dhe qeverisë ku bën pjesë, t’i mbulojë me një ekip të përbashkët negociator apo uniteti, që ta shpërndajë fajin apo përgjegjësinë. Por, Kosovës i duhet ndërprerja e këtyt negociatave dhe fillimi i dialogut me serbë lokal, si dhe kushtëzimi i Serbisë, që të mundësohet dialog i mirëfilltë”, thotë Hoti për tesheshi.com.
Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së thotë se çështja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është çështje e grupeve dhe ekipeve që marrin pjesë në bisedime.
Ai thotë se AAK, kur ka besuar se dialogu është në rrugë të mirë, e ka pasur përfaqësuesin e vet në bisedime, ndërkaq më pas kur është bindur se dialogu kishte degraduar në diçka tjetër, e ka tërhequr përfaqësuesin e saj.
“Që AAK të mbështesë dialogun, kusht është ndërrimi i formatit dhe përmbajtjes së së dialogut. Unë besoj se duhet ndërruar formati e jo se kush me marrë pjesë në ekipet që do të zhvillojnë bisedime. Nëse bisedimet me Serbinë ndërrojnë format dhe përmbajtje, e që qëllim final kanë njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë AAK do të ishte në gjendje të mbështesë këtë proces, pa marrë parasysh se a do të jetë vetë pjesë e ekipeve, në të kundërtën nuk do të jemi pjesë e grupeve me këtë format”, thotë Nitaj, për tesheshi.com.
Kurse Bilall Sherifi nga partia NISMA për Kosovën, idenë e Tahirit e ka quajtur “një lajm shumë të keq”.
Ai, në një deklarim për mediat ka thënë se kërkesa e Edita Tahirit, do të thotë përgatitje për koncesione të reja me Serbinë.
“Nëse Edita Tahiri kërkon një lloj dialogu sikur në kohën e bisedimeve të Vjenës, atëherë paskan përgatitur koncesione të reja për Serbinë. Se po të ishin tema për të cilat do të fitonte Kosova, nuk do të ishte e gatshme as Edita as shefat e Editës nuk do të na thirrnin”, ka thënë Sherifi.
Ndryshe, kërkesa për ndërpreje të bisedimeve ne Serbinë është paraqitur edhe pas arrestimit të komandantit të policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Nehat Thaçi. /tesheshi.com/