Është fenomen i njohur njerëzor që emri i vënë fëmijës të simbolizojë me patjetër diçka. Dhe në këtë prirje, përfshihen dhe emrat që vihen në kujtim dhe nderim të dikujt.
Ato variojnë që nga njerëzit e gjakut, përgjithësisht paraardhësit, e deri tek heronjtë; ndërkohë që tek këta të fundit përfshihen jo vetëm ata të luftrave, por dhe të fushave të tjera, si fjala vjen futbollit; ku nuk janë të pakët ata që prindërit u kanë lënë emra që u burojnë preferenca për aksh lojtar, nëse kanë patur fatin të lindin në kohën e një evenimenti të rëndësishëm futbollistik.
Më tej, janë dhe emrat që burojnë nga preferenca atdhetare, ideologjike e politike. Fjala vjen, një ndër emrat më pikantë të periudhës komuniste ishte Melsen; emër i cili përbënte një ankronim të katërshes prijëtare të ideologjisë komuniste, Marksi, Engëlsi, Lenini, Stalini, e që në fund finalizohej me të pestin, Enverin; që jo vetëm u bashkangjitej bobave të ideologjisë së kuqe, por që jua merrte atyre dhe me një gërmë më tepër.
Dhe meqë jemi tek Enveri, siç dihet, ai ka patur dhe një llagap lufte, Tarasi, konotacioni vulgar i së cilit i shkonte shumë përshtat karakterit të tij.
Por a ka patur në atë kohë individë që për nder të tij, prijësit komunist, janë quajtur Taras; pra që kanë zgjedhur të vetënderohen duke mbajtur për emër llagapin e luftës së udhëheqësit?!
Nuk posedohet ndonjë e dhënë statistikore prej Gjendjeve Civile të kohës; por rastësisht, ky emër haset diku në shtypin e para 24 viteve.
Fjala është për Taras Begenë (në foto), ish-kryetar i Frontit Demokratik i një lagjeje në Tiranë, që atë kohë emërtohej dhe si “Beteja e Arbanës”.
Në një lajm të ATSH-së të vitit 1991, shkruhet se “Dje pasdite, qindra banorë të lagjeve “Themelimi i Partisë”, “Beteja e Arbanës” dhe “Kongresi i Manastirit” në rajonin nr. 3 të kryeqytetit, që bëjnë pjesë në zonën 218 të rrethit Tiranë, u mblodhën në Teatrin e Operas dhe Baletit për të paraqitur kandidatët për deputetë në organin më të lartë të pushtetit shtetëror, Kuvendin Popullor….
….mbledhjen e hapi kryetari i Frontit Demokratik të lagjes….Taras Begeja.
Pastaj fjalën e morri sekretari i Komitetit Qendror të PPSH dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, shoku Xhelil Gjoni…
Kështu pra, edhe pse aspak simpatik në shqiptim – përkundër faktit që Melsen gëzonte gjithsesi një tingëllim tërheqës – Tarasi nuk paska mbetur i izoluar vetëm tek shoku Enver. E.Hoxha – /tesheshi.com/