“Tym i bardhë” mund të thuhet se ka dalë nga hoteli Hilton në Athinë, ku për më shumë se 22 orë kanë biseduar zyrtarët e Qeverisë greke me përfaqësuesit e kreditorëve ndërkombëtarë për paketën e tretë të shpëtimit.
Greqia duket se do të shpëtojë nga falimentimi edhe një herë, ndërsa palët janë shumë pranë nënshkrimit, pasi kanë mbetur vetëm dy ose tre çështje të parëndësishme, të natyrës teknike.
Në 60 faqe draft janë shkruar mbi 30 reforma që duhet të marrin dritën jeshile nga Parlamenti në një kohë të shpejtë, pasi Athina nxiton të kryejë pagesa të rëndësishem në datën 20 Gusht.
Një listë tjetër me 23 masa do të shqyrtohet në muajin tetor.
Hapi i radhës është miratimi në Parlament, ku kryeministri Cipras do të masë edhe njëherë forcat me kundërshtarët brenda partisë, ndërsa paketa pritet të kalojë me mbështetjen e opozitës.
Pas miratimit nga eurogrupi dhe parlamentet e disa vendeve, Greqia merr edhe këstin e parë prej 20 miliardë eurosh nga paketa e tretë e ndihmës financiare. /tesheshi.com/