Ambasadori turk në Tiranë, Ahmet Yöruk zbriti në Tepelenë ku takua me kreun e Bashkisë së këtij qyteti Tërmet Peçi. Ky i fundit i ka paraqitur diplomatit të Ankarasë një rezyme të zonës, vizionit për zhvillimin ekonomik të saj përmes agroturizmit, e sidomos turizmit historik, duke veçuar Kalanë e Ali Pashës.
“Së fundmi dua të kthehem në diçka më konkrete, çka është vërtet e nevojshme pasi kemi gati 17 projekte në fushën e infrastrukturës, ku midis tyre do veçoja projektin e kalasë së Ali Pashës, si një nga “armët” më të forta për zhvillimin e turizmit në Tepelenë”, u shpreh kryetari Peçi.
Ndaj këtij propozimi është shfaqur i gatshëm i dërguari i Ankarasë, kur tha:
“Janë mbi 400 biznese turke që operojnë në Shqipëri, me një numër prej 15 mijë të punësuarish dhe me një lëvizje monetare që kap vlerën mbi 3 miliard euro në vit. Kjo tregon frymën dhe suksesin, për të zhvilluar më tej dhe forcuar këto marrëdhënie. Propozimi juaj për kalanë e qytetit më pëlqen shumë dhe jemi të hapur për të financuar në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Ne kemi dy fondacione tepër të fuqishme ku mes së cilave kemi zhvilluar mjaft investime në Shqipëri dhe unë premtoj se një prej tyre do jetë i gatshëm të investojë në Kalanë e Tepelenës, për rijetëzimin e arkitekturës otomane, duke ju dhënë mundësinë ju dhe qytetit, të realizoni atë që keni dëshirë dhe sfidë. Ne do të ndihmojmë që së bashku të mund të kemi më shumë përfaqësi të shtetit tonë këtu dhe biznese që zhvillojnë ekonominë. Shumë shpejt ju presim në Tiranë për të nisur projektin e parë dhe t’i hapim rrugën të tjera projekteve”. /tesheshi.com/