Çohet më tej në Turqi lufta e nisur që pas 15 korrikut ndaj FETÖ-s, organizatës së bërë përgjegjëse për përpjekjen e dështuar për grusht shteti.
Për anëtarët e FETÖ-s parashikohet heqja e shtetësisë nëse ata nuk do të pranojnë të kthehen në vend gjer në një datë të caktuar për t’u përballur me organet gjyqësore.
Qeveria turke po përgatit një projektligj për t’u hequr shtetësinë gylenistëve të larguar jashtë vendit e që nuk pranojnë të kthehen. Ende nuk ka një afat të vendosur për kthimin e tyre, por ai do të mësohet së shpejti.
Si bën të ditur e përditshmja turke Sabah, qeveria është ende duke analizuar nëse heqja e shtetësisë do të përbëjë një problem për ekstradimin e të dyshuarve të FETÖ-s, edhe pse ekspertët ligjorë thonë se kjo nismë nuk ka për t’i penguar proceset e ekstradimit.
Plani për t’u hequr shtetësinë anëtarëve të larguar të FETÖ-s pason një fjalim të fundit të presidentit Erdogan, i cili do të shprehej kësisoj, “Nëse ata kanë ikur në një vend tjetër, i këshilloj të marrin shtetësinë e atij vendi. Ata nuk kanë për t’u kujtuar më si qytetarë të këtij vendi.”
Krahas kësaj, ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, gjendet për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me axhendë kryesore të vizitës së tij ekstradimin e Fethullah Gylenit.
Në takimin me prokuroren e përgjithshme amerikane, Loretta Lynch, ai ka kërkuar më së paku arrestimin e përkohshëm të Gylenit.
“Ne diskutuam kërkesat e Turqisë për ekstradimin, si dhe për ndalimin e tij të përkohshëm. Për herë të parë një ministër turk i Drejtësisë viziton një vend për ekstradimin e një krimineli që qëndron në atë vend,” u tha Bozdag gazetarëve në një konferencë shtypi. /tesheshi.com/