E shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit midis Arabisë Saudite dhe Iranit, Turqia u ka bërë thirrje të dy palëve t’i ulin tensionet e të tregojnë maturi.
“Ne duam që të dy vendet të dalin menjëherë nga ky tension,” ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë turke, Numan Kurtulmush, pas një mbledhjeje të qeverisë.
“Rajoni është tashmë një fuçi baruti. Atij nuk i ka mbetur më fuqi të përballojë tensione më të mëdha,” ka tërhequr vëmendjen zëvendëskryeministri.
Duke i përshkruar të dy vendet si mike të Turqisë, Kurtulmush ka thënë para gazetarëve, “Nëse Arabia Saudite dhe Irani sillen në mënyrë armiqësore ndaj njëri-tjetrit, kjo do t’i dëmtojë të dy vendet, do ta dëmtojë rajonin.”
Turqia u bashkohet kështu një sërë shteteve që u kanë bërë thirrjeve të dy vendeve t’i ulin gjakrat e të shmangin përplasjen e mëtejshme, çka do të ishte fatale për një rajon tanimë thellësisht të destabilizuar. /tesheshi.com/