Kthimi i Shqipërisë në një destinacion, që po bën xhiron e rrjeteve sociale, ka zgjuar interesin e shumë të huajve.
Këta të fundit janë aktivë në grupe të rrjeteve sociale, disa si vizitorë që kanë bërë rezervime konkrete, disa si potencialë pasi po mendojnë seriozisht të vizitojnë Shqipërinë në vijim dhe të tjerë që duket se janë thjesht kureshtarë.
Në grupin më të madh në rrjetin social Facebook “Visit Albania” që ka 261 mijë ndjekës dhe që shërben si një komunitet i madh që ndihmon turistët me detaje të rëndësishme për destinacionin, mund të hasësh mes shumë kërkesave të arsyeshme edhe nga ato të çuditshme.
Mënyra sesi funksionon transporti publik, çmimet, plazhet dhe itineraret më të mira për t’u përshkruar janë më të zakonshmet teksa nuk mungojnë pyetjet e kërkesat specifike.
Në forume vihet re që turistët vijnë me idenë për të shpenzuar sa më pak në Shqipëri, si rrjedhojë edhe e reklamimit që i është bërë vendit si një destinacion me kosto të ulët.
P.sh., në forume turistët pyesin nëse mund të ndajnë një taksi drejt Rinasit me tre veta (taksia kushton gjithsej 10-12 euro), si mund të gjejnë ushqim të lirë, apo të udhëtojnë në destinacione të largëta me sa më pak kosto.
Ata pyesin njëri tjetrin në forume se si mund të gjejnë alternativat më të lira. “Do të ulen në aeroportin e Tiranës në mbrëmje vonë (shtator) dhe kërkojmë hotelin më të afërt me mëngjes vetëm për një natë për të fjetur.
Të nesërmen nisemi për në liqenin e Komanit, rezervuam disa net atje. A mund të rekomandoni një bujtinë/hotel/apartament të mirë dhe të lirë pranë aeroportit dhe një mënyrë të lirë për të shkuar në liqenin e Komanit nga Tirana?”, shkruaj Julia nga Polonia.
Ushqimet
Ushqimi është ndoshta një nga tematikat ku shumë prej të huajve pyesin nëse ka vende të veçanta për ushqim vegjetarian, gatime pa gluten, ushqim “hallall”.
Po kështu shumë pyesin se ku mund të provojnë ushqim tradicional. Madje i impresionuar nga gatimi në Shqipëri duket se një prej turistëve është i gatshëm të marrë klasa gatimi për tavën e kosit një nga gatimet më të pëlqyera të të huajve në vendin tonë.
“Përshëndetje! A di ndokush një klasë gatimi në Durrës apo në Tiranë. Do doja të merrja pjesë vetëm në datë 19. Jam më shumë i interesuar për tavën e kosit por gjithashtu edhe për cdo gjë tjetër.
Duhet të kaloj kohën me këtë deri në 0:009 të darkës që niset avioni im por daljen nga apartamenti ku jam do më duhet ta bëj në 10:00 të mëngjesit” shkruan një prej vizitorëve të huaj.
Një tjetër i huaj që po vizitonte Beratin pyeste në grup nëse kishte ndonjë familje të interesuar për të ndarë një pjatë më shumë ushqimi edhe për të, duke e cilësuar këtë si një eksperiencë turistike për të parë nga afër traditën e zonës.
Ndarja e kostove të transportit dhe makinat pa garanci
Pyetja më e shpeshtë ka të bëjë me mënyrën sesi funksionon transporti në vend. Pjesa më e madhe e turistëve pyesin për transportin publik në një tentativë për të kursyer sa më shumë ku komuniteti që bën pjesë në grup poston oraret sipas nisjes së autobusëve në terminale apo kompanitë private.
Një kategori tjetër është gjithmonë të një makine me qira me çmim sa më të ulët dhe brenda mundësive që nuk ka nevojë për kartë krediti dhe as garanci.
Jo të pakta janë rastet kur turistët vendosin të ndajnë udhëtimet me njëri-tjetrin (një praktikë kjo shumë e njohur në Europë përmes disa aplikacioneve si BlaBla Car) për të ulur në maksimum kostot ndonjëherë edhe në formë të ekzagjeruar.
“Përshëndetje! Kemi një fluturim nesër në mëngjes në 06:30. Ndoshta dikush tjetër po fluturon rreth të njëjtës orë dhe do të donte që të merrnim një taksi nga Tirana për në Aeroport. Ne jemi dy persona”, thuhet në postimin e një vizitori. Kujtojmë që udhëtimi me taksi nga Tiranë në Aeroport për një person kushton mes 1100-1200 lekë.
Ture individualë dhe sa më të lirë
Një grup tjetër janë aventurierët të cilët logjikisht kërkojnë që të eksplorojnë gjithçka vetëm dhe me një kosto sa më minimale. Të shumtë janë ata që interesohen për shtegun Theth-Valbonë nëse mund të bëhet i vetëm dhe me fëmijë apo për Lumin e Shalës ku brenda mundësive kërkohet që varkat të merren individualisht.
“Përshëndetje a mund të më sugjerojë dikush mënyrën më të lirë për të shkuar në Lumin e Shalës. A ka diçka më të lirë se 25 euro? A ka mundësi që të marrësh varkën vetëm (pa ture)”, pyet një turist italian.
Mbetjet nëpër plazhe, lumenj dhe liqene
Një nga elementet më të komentuara nga të huajt janë mbetjet. Nëpër plazhe jo të pakta kanë qenë rastet kur janë postuar foto me “male” mbetjesh apo inertesh fare pranë pikave turistike sidomos në Ksamil. Janë kryesisht bloger dhe influencer të huaj italianë, britanikë por edhe të tjerë që e cilësojnë pjesën e mbetjeve si aspektin më problematik.
Disa prej tyre gjatë një turi në Koman shprehen se mbulimi i sipërfaqes me mbetje do ta shkatërrojë përfundimisht pjesën turistike që po lulëzon në vend teksa të tjerë nuk ngurrojnë ta cilësojnë Shqipërinë si një vend të botës së tretë shumë larg shkëlqimit që përcillet në rrjete sociale me plazhet e kristalta.
Kafshët e braktisura
Një numër jo i vogël turistësh shprehen të habitur me numrin e madh të kafshëve të braktisura në rrugë duke postuar foto të maceve apo qenve nga kudo ku i hasin.
Në shumë raste bëjnë apel për të tjerë që të kujdesen pas disa ditësh që ata janë kujdesur pasi do të largohen dhe në të tjera kërkojnë kontakte të organizmave rajonalë që kujdesen për kafshët. /Monitor/