Nga Bashkim Kastrati
Gjendja në shëndetësinë e Kosovës vazhdon të mbetët e rëndë, sidomos në sektorin publik. Kjo situatë po ndodh për shkak të shumë faktorëve, por një ndër ta është edhe keqmenaxhimi dhe shkeljet e ndryshme që bëhen në institucionet shëndetësore. Gjendja e rëndë në menaxhimin e shëndetësisë reflektohet edhe në raportin e fundit të auditit për Ministrinë e Shëndetësisë (MSh).
Auditi konsideron se edhe pse MSh ka bërë përmirësime në qeverisje, ende mbesin një numër fushash ku nevojiten zhvillime të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut, organizimin e brendshëm dhe qartësimin e përgjegjësive në mes të MSh-së dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).
Auditori konstaton se sa i përket MSh-së, ekzekutimi i buxhetit për Investimet Kapitale mbetet shqetësim kryesor, ku janë duke u shpenzuar mjete për pajisje dhe ndërtime për organizatat tjera buxhetore, mirëpo mungojnë evidencat në lidhje me to në regjistrat e pasurive, keq-klasifikimi i shpenzimeve pasi që shpenzimet për mirëmbajtje dhe servisim, janë trajtuar si investime kapitale përderisa ato nuk i përmbushin kushtet të trajtohen si projekte kapitale. Fushat tjera ku nevojitet më shumë përmirësim janë menaxhimi i subvencioneve, menaxhimi i buxhetit për barna, menaxhimi i pasurive, pagat dhe mëditjet dhe menaxhimi i evidencave për të hyrat.
E gjetura tjetër e auditit ka të bëjë me kompensimin e kujdestarive të mjekëve në specializim në që është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ Përkatës. Me vendim të ministrit ishin kompensuar për kujdestaritë e mbajtura, mjekët në specializim të rregullt që paguhen përmes listës së pagave.
“Shuma e kompensuar për vitin 2016 për këtë kategori të specializantëve ishte 68,579 euro. Mirëpo ne kemi vërejtur se ky vendim është në kundërshtim me Udhëzuesin Administrativ për Shkollimin Specialistik dhe Subspecialistik, sipas të cilit së paku dy kujdestari brenda muajit janë të obligueshme për plotësimin e programit për të cilin kompensohen specializantët”, thuhet ndër të tjera në raport.
Në lidhje me këtë çështje theksohet se obligimet që dalin nga ky Udhëzim Administrativ dhe që duhet përmbushur nga specializantët janë theksuar edhe në kontratat individuale, të nënshkruara prej tyre. Kompensimi është bërë në bazë të listës përmbledhëse mujore për kujdestaritë e mbajtura, të dërguara për pagesë nga ShSKUK-ja në MSh. Mirëpo raportet e ofruara për dokumentimin e kujdestarive të mbajtura nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme pasi së paku në pesë raste, mungonte nënshkrimi i specializantit që ka mbajtur kujdestari.
“Gjetja tjetër nga auditi tregon se e punësuara në pozitën shefe e njësisë për furnizim në departamentin farmaceutik në MSh është identifikuar në listën e pagave në kuadër të Administratës Qendrore të MSh-së edhe pse kontrata e saj ka skaduar në prill të vitit 2013.
Ndërkaq, Ligji për Shërbimin Civil” përkatësisht Neni 96 dhe 97 përcaktojnë qartë afatin dhe kushtet e zëvendësimit të kontratave të punës të Shërbimit Civil me shkresa të emërimit pa afat. Një konfirmim i tillë i punësimit nuk ka ndodhur me rastin e identifikuar pasi nuk është nënshkruar akti i emërimit. E punësuara kompensohet me 50% të pagës si rezultat i pezullimit për çështje gjyqësore në prill të vitit 2014.
Auditi tërheq vërejtjen se kompensimi i stafit në mungesë të kontratës/akt-emërimit valid, është në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e shërbyesve civil dhe mund të rezultojë me pagesa të parregullta dhe dëmtim të buxhetit.
Ministri Rrahmani dyfishoi jashtëligjshëm stafin e kabinetit
Sipas ligjit të rishikuar të buxhetit numri i paraparë i të punësuarve në kabinetin e ministrit ishte 10. MSh ka tejkaluar dukshëm, përkatësisht ka dyfishuar numrin e stafit të punësuar në kabinet, në 20 tij.
“Tejkalimi i numrit të buxhetuar të stafit paraqet planifikim jo efikas të nevojave për staf dhe ndikon në shpenzimin jo racional e buxhetit. Ministri duhet të sigurojë që planifikimi i numrit të stafit të bëhet në pajtim me nevojat reale dhe numri i stafit të planifikuar me buxhet të mos tejkalohet”, thuhet në raport.
Në anën tjetër, MSh vazhdon t’i kompensojë zyrtarët e saj për angazhime në borde dhe
komisione, në kundërshtim me ligjet përkatëse në fuqi. Sipas auditit, pagesat për borde dhe komisione në MSh për vitin 2016 (përfshirë edhe dhjetorin 2015) ishin në vlerën prej 390,385 euro. Edhe më tej vazhdon të përsëritet pjesëmarrja e zyrtarëve të njëjtë në më shumë së një komision apo bord.
“Pagesat për borde dhe komisione për zyrtarët specifik janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi pasi që nuk lejohet pjesëmarrja në më shumë së një bord apo komision. Kjo mund të shkaktojë pagesa të parregullta dhe dëmtim eventual të buxhetit. Përveç kësaj angazhimi në borde/komisione gjatë orarit të punës rrit rrezikun që zyrtarët të mos i kryejnë obligimet e tyre ditore si rezultat i angazhimit në detyra tjera.
Furnizimi i barnave me mangësitë të shumta
Agjencioni i Financimit Shëndetësor (AFSh) menaxhon me buxhetin për furnizim me barna, derisa kërkesat për furnizimin e tyre bëhen nga ShSKUK-ja në AFSh.
“Mirëpo duhet theksuar se pothuajse në të gjitha mostrat e testuara, ne kemi vërejtur se kishte vonesa të adresimit të kërkesave nga ana e AFSh-së tek operatorët ekonomik. Në pesë raste për furnizim me barna kërkesat nga AFSh dhe urdhërblerja ishin bërë pas pranimit të faturës; dhe në shtatë raste ka pasur vonesa nga ana e operatorëve ekonomik, mirëpo nuk janë llogaritur ndëshkimet për të gjitha rastet pasi porositë për furnizim me barna janë bërë pa urdhër blerje”, thuhet në raport.
Nuk u shqyrtuan aplikacionet e pacientëve sipas radhës
Sipas udhëzimeve administrative në fuqi, kërkesat e pacientëve duhet të shqyrtohen sipas datës së arritjes së tyre. Mirëpo, auditi ka identifikuar se trajtimi i tyre nuk bëhet çdo herë sipas radhës. Duke pasur lëndë ende të pa shqyrtuara, Bordi Ekzekutiv kishte pranuar dhe aprovuar lëndë të reja.
“Përderisa për disa lëndë kohëzgjatja e shqyrtimit dhe ekzekutimit të tyre ishte më pak se një muaj, për disa të tjera ishte deri në një (1) vit. Vonesat ishin shkaktuar kryesisht tek Bordi Ekzekutiv ngase nuk kishte vonesa të theksuara në pranimin dhe shqyrtimin e tyre nga zyra për Trajtimin Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP) dhe komisioni për vlerësim mjekësor”, thuhet në raportin e auditit.
Sipas këtyre të gjeturave, aplikacionet e pranuara në kundërshtim me kërkesat e udhëzimit administrativ, në tetë raste zyra për TMJIShP kishte proceduar për shqyrtim aplikacionet, në mungesë të pro faturave. Kjo është në kundërshtim me kërkesat e udhëzimit. Po ashtu, në dy raste të subvencionuara në vlerë 60,000 euro raporti i komisionit konziliar ishte i nënshkruar vetëm nga dy mjekë, ndërsa sipas udhëzimit administrativ, raporti duhet të jetë i nënshkruar nga tre mjek. Nuk kishte ndonjë shpjegim pse kanë ndodhur këto mospërfillje të kërkesave
ligjore
“Kërkesat rregullative nuk ishin respektuar edhe në raste tjera si: një pacient ishte kompensuar në 100% të vlerës së profaturës prej 7,850 euro, derisa sipas udhëzimit administrativ, ishte dashur të subvencionohej vetëm 70% të profaturës apo 5,495 euro; në një rast tjetër, nuk ishte kompensuar ne 100% të vlerës së pro-faturës, edhe pse lejohej. Në tetë raste ishin kompensuar trajtimet mjekësore pa përfunduar procedurat administrative të aplikimit, dukuri kjo në kundërshtim me kërkesat e udhëzimit administrativ”, thuhet ndër të tjera në raport.
Sipas auditit, Ministri i Shëndetësisë i ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me të gjeturat e detajuara dhe konkluzionet si dhe është zotuar se do t’i implementojë rekomandimet e dhëna. /tesheshi.com/