Tsipras kalon edhe paketën e dytë të reformës që shkurton shpenzimet e administratës dhe pa shpëtuar nga një shizmë tjetër e partisë së tij të ekstremit të majtë.
Parlamenti grek ka miratuar në orët e para të mëngjesit një paketë të dytë reformash të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë për të siguruar mbështetjen e tyre për paketën e re të ndihmës financiare.
Pavarësisht pritshmërive për një rebelim të deputetëve, Tsipras ishte i lehtësuar pas këtij votimi, pasi 230 deputetë votuan pro masave, 63 kundër dhe 5 abstenuan. Në mesin e atyre që votuan kundër ishin edhe 31 deputetë të Syriza-s, por ky numër është më i vogël se në votimin e parë. Yanis Varoufakis, ish-ministri i Financave, një nga ‘rebelët’ e votimit të parë, këtë herë votoi në favor të masave.
Pas miratimit të kësaj pakete, tashmë Athina mund të nisë negociatat për paketën e 86 miliardë eurove hua nga kreditorët e saj.
Para fillimit të seancës, kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka kërkuar votën e deputetëve të tij duke u thënë se grekët kanë varur të gjitha shpresat e tyre në qëndrimin në Eurozonë.
“Deri më tani kam parë reagime, kam lexuar e dëgjuar deklarata heroike, por nuk kam dëgjuar asnjë propozim, asnjë alternativë. Syriza duhet të reflektojë shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve që kanë varur shpresat tek ne”, u tha Tsipras deputetëve të Syriza-s.
Ndërsa në Parlament diskutohej për paketën e reformave, në sheshin “Sintagma” ishin mbledhur rreth 500 persona për të protestuar kundër kësaj pakete. “Të mblidhemi kundër Trojkës së luftës”, ishte një prej parullave të manifestuesve. Ndërsa në grupin e protestuesve të mësuesve të shkollave private të gjuhëve ishte një tjetër parullë: “Gjuhët e huaja = zhvillim”, “Rritja me 23% e TVSH-së = varfërim”, thuhet në një tjetër.
“Grekët janë të parët në Europë që ndjekin mësime të gjuhëve të huaja dhe shkurtimet e imponuara nga Europa godasin grekët e rinj të një gjenerate të tërë”, ka deklaruar njëri prej mësuesve. Situata në sheshin”Sintagma” ishte e qetë dhe nuk pati gjurmë të anarkistëve, por me kalimin e orëve u rrit prania e forcave të policisë.
Javën e kaluar u votuan një sërë masash shtrënguese të kërkuara nga huadhënësit, një miksim reformash ekonomike dhe shkurtimesh buxhetore, si pararojë e nisjes së bisedimeve për lëvrimin e paketës së tretë të huasë. Ndërsa paketa e miratuar në orët e para të së enjtes është e një natyre më strukturore, një kod i mbrojtjes civile që synon përshpejtimin e procedurave gjyqësore duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe adoptimi i një direktive të Bashkimit Europian për mbrojtjen e depozitave të qytetarëve me më pak 100 mijë euro.
Në fundjavë u përfol se bashkë me këto do të kalonte edhe një ligj për heqjen e pensionit të parakohshëm dhe rritjen e taksave për fermerët, por këto propozime u shtynë për në muajin gusht.
Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmoi të hënën se Greqia shleu detyrimin e prapambetur prej 2.05 miliardë euro dhe tashmë nuk ndodhej më në listën e vendeve ‘pranë falimentimit’.