Presidenti Trump tha të hënën se bisedimet e SHBA-së me talibanët për përfundimin e luftës në Afganistan janë “të vdekura” pas pezullimit të tyre javën e kaluar.
I pyetur të hënën në lidhje me ato bisedime, Trump u përgjigj: “me sa më intereson, ata kanë vdekur”.
Trump shkruajti në Twitter të shtunën se kishte planifikuar një takim me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe zyrtarë të lartë të talibanëve në vendpushimin presidencial të Camp David pranë Uashingtonit, por samiti u anulua pasi rebelët pranuan përgjegjësinë për sulmin më të fundit ku u vra dhe një ushtar amerikan.
Trump gjithashtu shkruajti se po mbaronte bisedimet midis SHBA dhe talibanëve për t’i dhënë fund luftës së gjatë afgane, e cila, sipas të dërguarit amerikan, ishte në fazat e fundit.
I dërguari amerikan Zalmay Khalilzad ka qenë në bisedime me krahun politik të talibanëve në Doha, Katar për gati një vit, dhe njoftoi se marrëveshja është afër përfundimit, por në minutën e fundit ajo u prish.
Trump, përmes Twitter-it, tha të hënën që ushtria amerikane kishte rritur reagimin e saj kundër talibanëve që nga sulmi i së enjtes.
“Për katër ditët e kaluara, ne kemi goditur armiqtë tanë më shumë sesa në çdo moment në dhjetë vitet e fundit”, shkroi ai.
Trump shtoi se gjithmonë mendonte se ishte mirë të takoheshim dhe të bisedonim me njerëzit, por në këtë rast ai përfundimisht vendosi të mos e bënte.
Mediat amerikane raportuan se Zv/Presidenti Mike Pence, si dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, ishin kundër ardhjes së talibanëve në Camp David, rezidenca e dytë e presidentëve amerikanë dhe vendi i disa samiteve historike.
“Media e pandershme dëshiron të të bëjë të besosh se konfuzioni po mbretëron në Shtëpinë e Bardhë, por nuk është kështu”, shkroi gjithashtu Trump. /tesheshi.com /