Presidenti Donald Trump ka të ngjarë të njoftojë javën e ardhshme lajmin se Shtetet e Bashkuara e njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, tha një zyrtar i lartë i administratës të premten, një veprim që do të përmbysë dekada të politikës amerikane dhe i cili mund të ndez tensionet në Lindjen e Mesme.
Trump mund të bëjë deklaratën e diskutueshme në një fjalim të mërkurën, edhe pse ka gjasa që të vonojë premtimin e fushatës së tij lidhur me zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem. Zyrtari i lartë dhe dy burime të tjera qeveritare thanë se vendimet përfundimtare nuk janë marrë ende.
Palestinezët e duan Jerusalemin si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm, dhe komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh autoritetin e Izraelit në të gjithë qytetin, që njihet si shtëpi e vendeve të shenjta për fetë hebraike, myslimane dhe krishtere.
Njoftimi i planifikuar i fjalimit të Trump-it, i cili do të devijonte nga presidentët e mëparshëm të SHBA-së të cilët kanë këmbëngulur që statusi i Jerusalemit duhet të vendoset në negociata, ka provokuar reagime nga Autoriteti Palestinez dhe me siguri do të nxisë zemërimin edhe të botës arabe.
Nabil Abu Rdainah, zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, tha se njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit do të ishte “rrënim i procesit të paqes” dhe “destabilizim i rajonit”.
Një veprim i tillë, megjithatë, mund të kënaqë lobin pro-izraelit, i cili ndihmoi Trumpin të fitojë presidencën dhe gjithashtu qeverinë izraelite, aleatin e ngushtë të SHBA-ve.
Zyrtari i lartë i SHBA-së, duke folur në kushte anonimiteti, tha se detajet ende ishin duke u finalizuar dhe ende mund të ndryshonin.
Një zyrtar tjetër i SHBA-së tha se Trump duket se po shkon drejt njohjes së pretendimit të Izraelit për Jerusalemin, por se kjo nuk ishte një marrëveshje e kryer.
“Nuk kemi asgjë për të njoftuar”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Vendimet e ardhshme të Trump-it mbi Jeruzalemin, një nga çështjet thelbësore më të ndjeshme të konfliktit izraelito-palestinez, ndjekin diskutime intensive të brendshme të cilat presidenti i ka peshuar personalisht, tha një ndihmës i Shtëpisë së Bardhë.
Statusi i Jerusalemit është një nga pengesat kryesore në arritjen e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve.
Izraeli kapi Jerusalemin Lindor Arab gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967 dhe më pas e aneksoi atë, një veprim që nuk u njoh ndërkombëtarisht.
Qeveritë arabe dhe aleatët perëndimorë i kanë kërkuar Presidentit Trump që të mos vazhdojë me zhvendosjen e ambasadës, gjë që do të ndryshonte politikën e gjatë të SHBA-së duke i dhënë de facto njohjen amerikane të pretendimit të Izraelit për të gjithë Jeruzalemin si kryeqytetin e saj.
Duke vizituar Uashingtonin këtë javë, mbreti Abdullah i Jordanisë paralajmëroi ligjvënësit se zhvendosja e ambasadës amerikane mund të “përdoret nga terroristët për të ushqyer zemërimin, zhgënjimin dhe dëshpërimin e tyre”, njoftoi agjencia shtetërore jordane e lajmeve Petra.
Disa nga ndihmësit kryesorë të Trump kanë shtyrë privatisht që ai të mbajë premtimin e fushatës së tij për të kënaqur një varg mbështetësish, duke përfshirë edhe të krishterët ungjillorë, ndërsa të tjerë kanë paralajmëruar për dëmtimin e mundshëm të marrëdhënieve të SHBA me vendet muslimane. /tesheshi.com/