Kur Theresa May vendosi ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme muaj më parë, synimi i saj ishte të siguronte një shumicë dërrmuese që do t’i jepte dorë të lirë në negociimin e largimit nga BE-ja.
Një përllogaritje krejt e gabuar e kryeministres, që duket të ketë humbur shumicën për të formuar qeverinë, e duhet të dëgjojë tani dhe kërkesat për dorëheqje.
Dush i ftohtë për konservatorët, që pas numërimit të deritanishëm të votave, sipas BBC-së, kanë dhjetë ligjvënës më pak nga ç’duhet për shumicën prej 326 vendesh.
Krejt ndryshe është panorama e përgjithshme për laburistët e Jeremy Corbyn-it, me rezultate shumë më të mira se në zgjedhjet e shkuara.
BBC-ja raporton për 265 vende të siguruara prej laburistëve për në parlamentin e ardhshëm britanik, me një rritje prej 33 vendesh.
“Nëse ka një mesazh nga rezultatet e kësaj mbrëmjeje,” do të thoshte në reagimin e tij Corbyn, “ai është ky: kryeministrja i thirri këto zgjedhje sepse kërkonte një mandat. Në rregull, mandati që ajo mori është humbja e vendeve të konservatorëve, humbja e votave, humbja e mbështetjes dhe humbja e besimit.”
Por ndërsa udhëheqësi i laburistëve i kërkon dorëheqjen, May është shprehur se i takon partisë së saj të garantojë stabilitetin në vend.
“Ky vend ka nevojë për një periudhë stabiliteti në këtë kohë më shumë se çdo gjë tjetër. E nëse është e saktë se Partia Konservatore ka fituar shumicën e vendeve, e mbase shumicën e votave, atëherë do të na takojë ne të garantojmë që do ta kemi këtë periudhë stabiliteti. Dhe kjo është saktësisht ajo që do të bëjmë.”
Një tablo më përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve britanike pritet të bëhet e njohur rreth mesditës së kësaj të premteje. /tesheshi.com/