Intervistoi: Blendi Gashi
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë. Në përkeqësimin e kësaj situate, sipas tij ka ndikuar edhe kriza politike në vend, pasi vëmendja e agjencive që garantojnë siguri është fokusuar në arenën politike.
Shala, në një intervistë dhënë për portalin tesheshi.com thotë se institucionet e sigurisë duhet të lënë anash dualizmin, të shtojnë numrin e kuadrit profesional në sektorët e veçantë dhe të bëhet depolitizimi i agjencive të zbatimit të ligjit.
Ai ka folur edhe për atë se kur pritet që Kosova të bëhet me ushtri, për masat shtesë që ndërmori qeveria sivjet në luftë kundër terrorizmit, për moszbulimin e vjedhjes në dhomën e dëshmive në Policinë e Kosovës, për punën e bërë nga AKI-ja dhe agjencitë që merren me çështje të sigurisë, si dhe për atë çfarë e pret vendin në vitin 2016-të.
Si e shihni ju gjendjen e sigurisë në Kosovë?
Gjendja e sigurisë në Kosovë sipas zhvillimeve të fundit që ka kapluar rajonin është e brishtë. Them kështu duke pasur parasysh rritjen e numrit të njësive relevante në kufi me Serbinë, vendosjen e bazës se re ushtarake ruse në Luginë si dhe luftën kundër terrorizmit. Po ashtu, edhe çështja lidhur me Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe ato që përmenda më lart, lidhen apo reflektojnë në sigurinë e jashtme dhe asaj të brendshme të vendit.
Sa ndikon kriza politike në përkeqësimin e situatës në vend?
Normal që ndikon, teksa vëmendja e oponentëve të agjencive shtetërore fokusohet në arenën politike dhe lënia anash e problemeve apo sfidave të karakterit nacional si luftimi i krimit, korrupsionit etj., e përkeqëson gjendjen dhe situatën e sigurisë dhe pengon rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Cilat janë rreziqet më të mëdha për Kosovën në aspektin e sigurisë?
Rreziqet më të mëdha për vendin janë krimi i organizuar, terrorizmi, pastrimi i parave nga grupet e interesit të afërta me politikën, funksionalizimi i strukturave paralele në kuadër të arkitekturës së sigurisë së Kosovës (hyrja e mbrojtjes civile në kuadër të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës lë hapësirë që të hynë ‘Kali i Trojës’ në sistemin tonë të sigurisë.
Qeveria e Kosovës sivjet ndërmori masa shtesë për mborjtje nga sulmet eventuale terroriste. Sa është e rrezikuar në të vërtetë Kosova?
Kosova sikur edhe vendet tjera nuk mundet me qenë imune ndaj ndonjë sulmi eventual. Kosova ka ngrit shkallën e rrezikshmërisë në shkallën e 4-të dhe është e arsyeshme duke marrë parasysh që ka rritje të numrit të banorëve të Republikës së Kosovës në luftën përkrah ISIS dhe Al Nusra.
A funksionojnë mekanzimat e sigurisë në vend dhe sa parandalojnë veprat kriminale?
Më shumë ka funksionalizim sektoral se sa komplet të sistemit sepse shumë herë ka dualizëm në mes agjencive që janë të thirrura në zbatim të ligjeve dhe mbrojtjes së tyre. Edhe kjo pasqyrohet në fushën e parandalimit të veprave kriminale.
Çfarë hapa konkret duhet të ndërmarrin institucionet e sigurisë për ruajtjen e sigurisë në vend? Sa janë të politizuara këto agjenci?
Institucionet e sigurisë duhet të lënë anash dualizmin, të shtojnë numrin e kuadrit profesional në sektorët e veçantë dhe duhet të bëhet depolitizimi i agjencive të zbatimit të ligjit.
Edhe këtë vit dështoi formimi i ushtrisë së Kosovës. Çfarë shteti është ai që nuk ka ushtri dhe a pritni që vitin e ardhshëm të ndodh transformimi i FSK-së në FAK?
Problemi qëndron në atë se duhet të ketë konsensus të partive politike mes partive shqiptare dhe atyre serbe që FSK-së t’i ndryshohet mandati. Duke parë zhvillimet në skenën politike kosovare, kjo i shkon përshtati interesave serbe që sa më shumë të prolongohet shndërrimi i FSK-së në FAK. Por, pas vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry në rajon duke lobuar për aleat të ri kundër terrorizmit dhe heqjes së barrierës (pengesave nga qeveria serbe), mendoj që në pjesën e dytë të vitit 2016 do të merren hapat konkret drejt krijimit të FAK-ut.
Pse edhe pas ca vitesh sipas jush nuk u zbulua vjedhja në dhomën e dëshmive në Prishtinë?
Kjo vjedhje tani lirisht lë mundësinë të krijohen hipoteza më të ndryshme, duke pas parasysh që ka pas disa ndëshkime kosmetike në strukturën e brendshme të Policisë së Kosovës pas këtij rasti. Hetimet e zhvilluar nga IPK-ja kanë rezultuar që ndërhyrja në këtë dhomë ka qenë jo e dhunshme, dhe kjo lë të kuptohet që bëhet fjalë për një strukturë jovendore, sepse në atë dhomë deri në atë kohë përgjegjës ishte UNMIK-u apo Policia e BKA-së në kuadër të UNMIK-ut ( policia kriminale e Gjermanisë). Dhe pasi që politika në atë kohë nuk ka mundur të ketë qasje në ato dosje kanë inskenuar një vjedhje spektakulare. Mendoj që këto dosje do luajnë rol në Gjykatën Speciale.
Si e vlerësoni punën e Agjencisë Kosovare të Intelegjenës?
Në AKI ka pasur disa ndryshime pas aferave të zyrtarit të kësaj agjencie që kishte bërë me diplomën e tij. Pas ndryshimeve në sistemin menaxherial dhe emërimit të drejtorit të ri mendoj që puna ka evolu në cilësi dhe profesionalizëm. AKI është dëshmuar edhe në luftën kundër terrorizmit pasi kjo agjenci ka dhënë kontributin e saj parandalues.
Në fund, çfarë e pret Kosovën më 2016 në aspektin e sigurisë, çfarë mund të ndodhë?
Kosova në veçanti e rajoni në përgjithësi tregon që pika kyçe është dhe mbetet luftimi i terrorizmit. Ndërsa në aspektin e brendshëm mbetet sfidë, ridizajnimi i sistemit të sigurisë dhe ndryshimeve kuadrovike në agjencitë zbatuese të ligjit.
/tesheshi.com/