Një prej legjendave të trajningut në Itali, Xhovani Trapatoni, nuk e ka pritur “krahëhapur” vendosjen e sistemit VAR (Video Assistant Referee) në futboll.
78-vjeçari i intervistuar nga prestigjozja “La Stampa”, e ka shprehur në mënyrë ironiko – metaforike, mospëlqimin për vendosjen e pajisjeve elektronike në fushën e lojës.
“Unë mbetem i shkollës së vjetër, i asaj shkolle që na mësoi se edhe gabimet e arbitrave, herët a vonë kompensohen. Sistemi VAR është si puna e gjobës. Të vjen në shtëpi një letër penalizuese, ku thuhet që ti ke ecur me 60 kilometra në orë, kur në tabelë shkruhej deri në 50. Ti natyrisht nuk e ke vënë re, por përballë fotos që shoqëron shkeljen, mbetesh i pafjalë. Ja kështu është sistemi VAR, një gjobë me foto”– ka qenë shpjegimi i Trapatonit. Xhovani Trapatoni është njohur gjithnjë si trajner polemizues, por edhe shumë karizmatik.
Ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Bajernit apo Kombëtares së Italisë e Irlandës, shpesh është parë të kundërshtojë në mënyrë energjike vendimet e arbitrave, por më pas, “me kokë të ftohtë”, gjithnjë u ka kërkuar falje, pasi i ka quajtur këto vendime, si veprime njerëzore. /tesheshi.com/