Nga Ermir Hoxha
Automjetet janë një tjetër tregues i tmerrit që ka ndodhur natën e së shtunës në lagjen Hasanbeg të Shkupit.
Dhe nuk bëhet fjalë për automjete të zhytura nën ujë që tashmë kanë dalë jashtë funksionit, ku të tilla has pothuasje në kudo nëpër lagje, por për asoj që kanë përfunduar deri dhe në oborre shtëpish, e që të zotët e këtyre të fundit nuk jua dinë pronarin.
Pra, kur ka gdhirë e nesërmja, dikush ka parë tek pragu një automjet rrotëpërpjetë, por pa qenë i tiji. Dhe që prej ditësh askush nuk i del për zot.
Ato tregojnë se çfarë ka arritur të bëjë rrjedha e fuqishme e ujit , e cila i ka marrë me vete duke çuar sa andej këndej, deri dhe në distanca të largëta me nga tre e katër kilometra brenda lagjes.
Ndërkohë, janë dhe shumë avlli të rrëzuara. Por ajo që bie në sy në gjithë atë rrëmet të pashoq, është diku një WC e shndërruar në gërmadhë. Nuk ka qenë brenda banesës por në një qosh oborri.
Ajo përbën një simbol ironie në atë lloj batërdie edhe me shumë jetë njerëzore të humbura. Pra mundet që atë natë vdekja ta ketë gjetur dikë edhe në WC, duke u larguar nga kjo botë “pa mbarruar punë”. /tesheshi.com/