Komiteti Teknik COVID vendosi të mos ndryshojë asnjë masë nga ato aktualet, pasi takimit të radhës analizues të situatës epidemiologjike në vend.
“Duke bërë një vlerësim shihet një rritje të qëndrueshme të numrave në këto dy javë vjen si efekt e festave të fundvitit dhe bashkimit të familjarëve. Do të thotë që do të vijojmë të kemi në zbatim masat të cilat tashmë i gjykojmë si masa që kanë dhënë impakt dhe vlerësojnë që kanë dhënë efekt. Në tërësinë e tyre vijon punën për vijimin e procesit të testimit në të gjithë vendin. Nga ana tjetër puna në spitale vijon pa ndalur në shërbim të qytetarëve.
Do të vazhdojmë me planet e vaksinimit, duke vazhduar me mjekët dhe infermierët dhe duke vazhduar me radhë të gjithë grupet që janë publikuar tashmë.
Pavarësisht të gjithë përpjekjeve tona dhe punës që vijon prej 11 muajsh në gjithë shërbimin tonë shëndetësore duhet të vijojmë dhe të tregojmë të kemi të njëjtin kujdes të higjienës, vendosjen e maskës dhe distancimin social.
Mësimi në universitet do të jetë online deri në një urdhër të dytë.
Fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri në datën 1 shkurt për të pasur një tjetër rivlerësim”, tha ministrja Manastirliu.
Ajo foli dhe për rastin e sanitares mashtruese dhe zhvatëse te COVID 2, duke thënë se do ketë hetim të thelluar.
“Unë kam ngritur një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë, që do të kryejë një investigim të plotë dhe verifikim të cdo akuze në COVID 2. Kam një thirrje këtu për të gjithë qytetarët: mos bini pre e askujt, informoni autoritetet, nëse iu cenohet e drejta për shërbim, nëse ka diçka që iu penalizon në marrjen e shërimit. Të gjithë qytetarët kanë në dispozicion platformën e bashkëqeverisjes.
Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj lufte, përpos luftës me pandeminë. Po të ktheni kokën pas do të shihni se është bërë një punë kolosale nga mjekët, që marrin përditë me mijëra falënderime. Lajmi i mirë nuk bën lajm, por lajmi i keq bën lajm.
Nuk kemi thënë që sistemi është i përsosur dhe nuk ka asnjë problem, ka dhe batakçinj, që na shkaktojnë një dëm shumë të madh. E para, shkelin besimin e atyre familjarëve, që iu kanë lënë në dorë jetën e të afërmeve të tyre dhe kjo është e neveritshme. E dyta, ata na bëjnë një dëm shumë të madh, sepse godasin një marrëdhënie që jemi duke e punuar prej vitesh, marrëdhënien e shenjtë të besimit mjek-pacient”, theksoi gruaja në krye të shëndetësisë shqiptare. /tesheshi.com/