Më 14 mars, Ditën e Verës, është ideuar që autostrada Elbasan – Tiranë të jetë e hapur në të gjithë gjatësinë e saj.
Kjo u tha gjatë një inspektimi të kryeministrit Rama në kantierin e kësaj rruge, me një histori të pazakontë në fushën e veprave infrastrukturore.
“Ritmet janë të kënaqshme dhe parashikojmë që në 14 mars rruga të bëhet e aksesueshme për trafikun, karrexhata e majtë përkohësisht, deri sa të mbarojë në përputhje me grafikun e ri të punimeve, në maj të 2019. Kjo ka qenë një nga zonat më problematike të projektit. Kjo ka patur një kosto 9.6 milionë dollarë. Realizmi i saj është 93%. Duhen edhe 800 mijë dollarë dhe kjo të kompletohet”, tha drejtuesi i projektit.
Nga ana tjetër, shefi i qeverisë denoncoi mënyrën se si u nis kjo rrugë nga qeveria e mëparshme, që sipas tij e dërrmoi buxhetin e shtetit.
“Kjo rrugë u bë realisht gangrenë. U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme”.
Po pse marrëzi dhe babëzi?
Me marrëzi, Rama i është referuar qeverisjes Berisha. Autostrada Tiranë – Elbasan nisi fill pas Rrugës së Kombit, duke parë efektet e saj elektorale në zonat nga kaloi, sidomos në Kukës, ku në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 PD morri një sasi të madhe votash.
Por në Elbasan, ku dhe ishte synimi për Lokalet 2011, nuk ndodhi e njëjta gjë. Fillimi i rrugës pati një tendencë të qartë elektorale, për më tepër që kundërshtohej si variant nga Krraba prej dyshes Xhevat Ngjeçari – Preç Zogaj, ndërsa në votë, edhe në zgjedhjet e 2013-ës, Elbasani mbeti rozë në preferencë politike.
Ndërsa babëzinë, Rama ia faturon LSI-së. Drejtori i saj i Rrugëve në vitet 2013 – 2017, Dashamir Xhika, përfundoi në burg, pikërishtnga aferat në këtë rrugë. /tesheshi.com/