Ministria e Jashtme ka reaguar me një deklaratë ndaj asaj greke të 24 orëve më parë lidhur me prishjen e disa ndërtimeve në Himarë në funksion të rikualifikimit urban, por që për Athinën zyrtare janë cenim i pronës së minoritetit.
“Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm.
Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
Procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Deklaratat e përsëritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar”, thuhet në deklaratën e selisë diplomatike shqiptare, që poashtu bën me dije se ka thirrur për sqarime ambasadoren e Greqisë në Tiranë për këtë çëshjte.
Siç dhe dallohet qartazi, gjuha e deklaratës së Tiranës zyrtare përcjell ftohtësinë që po karakterizon raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë që pas ardhjes së Ramës në pushtet. /teshheshi.com/