Një tragjedi ndodhi në plazhin e Velipojës, pasi një 17-vjeçarë u mbyt pas një xhiroje me motor uji me një 25-vjeçar.
Enisa Doda e Indrit Bajraktari, të njohur mes tyre, të ndodhur në Velipojë, e para me familje dhe i dyti individualisht, janë nisur për një xhiro në det, por pas dy orësh, 25-vjeçari është kthyer i vetëm në breg ku fjalët e para kanë qenë “nuk di se si ndodhi”.
Ndërkohë, të ndjerës i janë gjetur shenja dhune në trup. Po hetohet se çfarë ka ndodhur mes tyre, nëse ngjarja ka qenë vërtet aksidentale, apo është fjala për një vrasje.
Njoftimi zyrtar i Policisë thotë:
“Vihet në pranga një 25-vjeçar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë Velipojë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare, organizuan punë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shodër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: – I. B., 25 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Njesia Administrative Postrribë Shkodër. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se më datën 19.08.2020, rreth orës 14:00, në vendin e quajtur Vilu, plazh Velipojë Shkodër, ky shtetas ka hyrë në det me motor uji të marrë me qira së bashku me shtetasen E. D., 17 vjeçe, banuese në Bathore.
Rreth orës 16:30, ky shtetas ka dalë në breg pa motorin e ujit duke lënë të mbytur në ujë shtetasen E. D., e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, njofton policia.
Kjo ngjarje e rëndë pason atë të para tre ditëve në Shkodër, ku mbeti i vrarë 23-vjeçari Gledis Kraja, ish-futbollist.
I riu u shua pas një plumb në trup, marrë aksidentalisht nga shoku i tij Stjuart Smakaj. Ndodhi kjo pasi ky i fundit qëlloi me breshëri ndaj një tjetër personi në një moment përplasjeje për çështje parkimi. /tesheshi.com/