Në korrik të vitit të 2023, Gjykata e Fierit ka dhënë vendimin për vrasjen e 23- vjeçarit Florian Selimi në vitin 2019. Në vendimin e saj, gjykata ka vendosur 19 vite burg për autorët Kiri Mernica dhe Sadri Selaci. Kiri Mernica është vëllai i autorit të vrasjes së efektivit të Policisë, 28 -vjeçarit Nevruz Cenalia, dy ditë më parë. 23-vjeçari ndodhet ende në arrati. Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit forcat Renea janë vënë në lëvizje për të gjetur vendndodhjen e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë, por ende nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tij.
Sakaq, sipas rrëfimit të të ëmës së të ndjerit Florian Selimi, jepet një panoramë më e zgjeruar e vrasësit dhe e zonës, më saktë fshatit Sulaj.
Sipas Dukate Selimit, vrasësi nuk do kapet, pasi është vetë Policia që e ka lënë atë dhe krimin që të gjenerojë në fshat.
Në në intervistë për Top News, ajo nxjerr në pah anën e errët të vrasësit, shtetit dhe fshatit.
Ju keni luftuar pa fund për të gjetur drejtësi dhe për të vënë drejtësi për djalin tuaj të ndjerë. Ja keni dalë më në fund, sepse autorët janë vënë përpara drejtësisë, tashmë janë edhe të dënuar, por jeta juaj ka ndryshuar rrënjësisht. Ju jeni detyruar që pasi djali juaj ka humbur jetën të lini edhe fshatin ku jetonit. Çfarë ka ndodhur zonja Selimi, kush ju detyroi të largoheni nga fshati juaj?
Ne kemi jetuar për 20 vjet në fshatin Sulaj të Fierit. Ai ka qenë fshat problematik gjithmonë, pasi aty ka njerëz të armatosur. Ka njerëz që mbajnë armë me vete kudo që shkojnë dhe policia fatkeqësisht nuk i ndalon. Edhe nëse i ndalon në një moment i lëshon direkt kur shkon në drejtorinë e policisë dhe kështu që, herë pas here kemi pas denoncime. Kemi denoncuar, por nuk është marrë parasysh denoncimi jonë. Në 2015-ën kishin prap një tjetër ngjarje, sepse vëllai im bëri një plagosje, për shkak se ata e kërcënuan me jetë. Për vetëmbrojtje, vëllai im ka plagosur njërin nga autorët e krimit. Edhe aty nuk u bë hetimi i duhur, sepse ata nuk e pranuan asnjëherë që janë autorët e krimit, sepse kishin dëshirë që të hakmerreshin dhe erdhi momenti që ata natën e Kurban Bajramit ma kanë therrur në fyt djalin tim duke e bërë kurban një fëmijë në rrugë pa asnjë lloj motivi. Thjesht se vëllai im ka plagosur njëri nga ata.
Pra, ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje
Nuk është pranuar nga Prokuroria, as nga Gjykata. E quajnë “vrasje për urrejtje”, që për mua është edhe më e rëndë. Që të vritet një djalë i ri për urrejtje është edhe më e papranueshme për mendimin tim. Unë do ta ndjek, nuk e lë me kaq. Edhe pse ma kanë kushtëzuar Strasburgun do vazhdoj me SPAK-un me të tjera rrugë dhe do të shkojë deri sa të arrij atë që dua unë. Drejtoria e Policisë së Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me ekspertë kriminalistikë, ka bërë të mundur manipulimin e dosjes, ka prishur procesverbalet e sakta dhe ka shkaktuar një relacion shumë të dobët në Prokurorinë e Rrethit Fier.
Tashmë autorët janë të dënuar. Çfarë ju ka bërë ju që të largoheni nga fshati Sulaj i Fierit?
Pasiguria! Unë e kam bërë publike gjashtë herë. Gjashtë herë kam dalë në media, i kam të gjitha me prova në youtube dhe kam kërkuar mbrojtje nga shteti, pasi ata janë të armatosur, janë rrugëve.
Keni patur kërcënime konkrete, kush ju ka kërcënuar?
Kemi pas kërcënime konkrete, vëllain tim e kanë kërcënuar me armë. Ata e kanë me jetë a vdekje të largojnë njerëzit që kanë të ardhur nga veriu aty, sepse i duan tokat për veten, I kanë larguar dhe vendalinjtë. Ata udhëhiqen nga grupe të mëdha. Nuk janë ata që e bëjnë krimet, por i bëjnë ata të mëdhenjtë, këta i përdorin si mashë.
Vazhdojnë konfliktet tuaja me familjen Mërnica?
Konfliktet janë të hapura. Unë gjakun e djalit tim s’kam për ta fal kurrë.
Autori Kiri Mërnica, që është edhe vëllai i autorit të vrasjes së dy ditëve më parë të efektivit të policisë, tashmë është i dënuar me 19 vite nga Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit…
Është dënuar nga gjykata e Shkallës së Parë të Fierit, por edhe e Apelit. Por unë nuk jam fare e kënaqur sepse ata mund të dalin nga burgu nesër pasnesër, sepse kanë mbrojtje. Kanë njerëzit e tyre të fuqishëm dhe i nxjerrin me lekë.
Kush ju ka kërcënuar konkretisht? Keni patur kontakte për shembull me autorin e vrasjes së dy ditëve më parë, pra me vëllain e Kiri Mërnicës, Azgan Mërnica?
Nuk kemi fol asnjëherë me ta që kur ka ndodhur ngjarja. Unë shkoj tek shtëpia nganjëherë, sepse dua të shikoj shtëpinë, dhe sa herë shkoj ata janë gati për luftë. I kanë armët nëpër duar. E kam lajmëruar Shefin e Krimeve të Rënda, të gjithë i kam lajmëruar, por askush nuk ndërhyn. Aty e dinë të gjithë rrezikshmërinë e fshatit dhe askush nuk ndërhyn. Gjithçka që bëhet, çdo aksion që bëhet në Policinë e Fierit, ata i lajmërojnë, i lajmërojnë dhe operacioni dështon. Ata lajmërohen në çdo rast, sepse kanë njerëzit e tyre në policinë e shtetit. Kam prova dhe fakte të mjaftueshme që implikojnë gjithë Drejtorinë e Policisë Fier, shef komisariati e të gjithë se kanë manipuluar dosjen time, por këto do t’i bëj publike herë tjetër
Zonja Selimi, familja Mernica ka pasur konflikt vetëm me familjen tuaj në fshat apo edhe familje të tjera, sepse ju thoni që është familje problematike…
Ata kanë probleme me të gjithë. Përveç se vrasin, janë hajdutë ordinerë. Ata vjedhin çfarë të kesh në shtëpi, janë hajdutë, njerëz parazitë që jetojnë me vjedhje, me vrasje edhe me ndonjë rrënjë hashashi që mbjellin nëpër kanale atje.
Pa diskutim që jeni tronditur edhe nga ngjarja e dy ditëve më parë. Cila është gjëja e parë që menduat kur mësuat këtë ngjarje të rëndë?
E para që më shkoi në mendje është se autori nuk kapet, sepse ndihmohet nga Policia e Fierit. E dyta rruga ku ka qenë ai polic është shumë e gjerë, mund të kalojnë lirisht dy makina. Për mua është e paramenduar. Policia ti futet punës dhe ekspertët të mos bëjnë gjëra siç kanë bërë për djalin tim, por të merren me punë.
Ju thatë që jeni larguar nga Fieri dhe tashmë jetoni në Tiranë. Tani që keni ndryshuar vendbanimin tuaj, vazhdojnë kërcënimet?
Tani që kam e ndryshuar vendbanimin, unë sinqerisht ta them nuk kam frikë fare, sepse jam me të drejtën time, flas çdo gjë.
Gjatë seancave keni patur përballje me familjen Mërnica?
Unë nuk kam punë me ata vrasës. Unë kam punë me shtetin, me shtetin që ka bërë falsifikimin e ngjarjes.