Nga Blendi Gashi
Kryeministrit Haradinaj mëngjesin e së premtes i ka trokitur në derë presidenti Thaçi, sigurisht jo për të pirë kafe por për diskutuar tema që ata nuk nuk ndajnë pikëpamje të njëjta dhe kjo është normale kur dihet fakti se pak muaj më parë të dy kanë qenë “armiq” mes vete.
Nga foto shihet se ka qenë një takim relaksues, ku presidenti është tejet i buzëqeshur por jo aq fort edhe Haradinaj.
Por përtej kësaj pjese, ta quajmë gëzimi, sigurisht se fshihen edhe mrrolat e shfaqura në takim mes dy krerëve të vendit, fjala është pra për mospajtimet që kanë shfaqur ndaj njëri-tjetrit.
Ja ç’biseduan liderët sipas deklaratës zyrtare…
Nëse i referohemi komunikatës, është një takim normal mes dy krerëve të vendit të cilët thuhet se “biseduan rreth bashkërendimit në përmbushjen e agjendës shtetërore që ndërlidhet me integrimet euro-atlantike, sundimit e ligjit dhe zhvillimin ekonomik”.
Më tej tuhet se “të dy liderët institucionalë u pajtuan për koordinimin e strategjisë dhe veprimeve të përbashkëta rreth sfidave me të cilat po ballafaqohet Kosova, në konsolidimin shtetëror dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”.
Sigurisht, zyrtarët për informim njoftojnë vetëm për pjesën që marrin urdhërat nga shefat, ndërsa në të vërtetë prapa këtyre temave janë diskutuar dhe shumë të tjera që nuk i servohen publikut.
Pse i trokiti Thaçi në derë Haradinajt?
Dhe pyetja e parë që shkon ndërmend të shtrohet është nëse Thaçi shkoi në zyrë te Haradinaj pasi ky i fundit paralajmëroi se së shpejti do të informojë Kuvendin për bisedimet me Serbinë dhe se do të bëjë një platformë se si duhet ecur tutje?
Portali ynë dy ditë më parë raportoi se Thaçi nuk do rri pa lëvizur pas deklaratës së Haradinajt për transparencën rreth bisedimeve me palën serbe dhe pikërisht këtë ka bërë.
Ai, vetëm pas dy ditësh nga paralajmërimi i Haradinajt i ka trokitur në derë këtij të fundit. me gjasë t’i thotë se duhet një koordinim mes tyre dhe se nuk mundet kokë n’vete të dalë para Kuvendit dhe të flet për negociatat që po zhvillohen me palën serbe.
Sigurisht se raportimi i Haradinajt para Kuvendit për të folur për ecurinë e bisedimeve përveç që do t’i jepte poena politik kryeministrit, njëherit do të nënkuptonte se ai dëshiron t’i qet në dritë “marrëveshjet e fshehta” gjë që assesi nuk e lejon Thaçi pasi do ishte një goditje e madhe për të.
A do të përfshihet edhe Haradinaj në bisedime?
Sigurisht se një nga pikat që mund të kenë biseduar dy krerët është edhe përfshirja e Haradinajt në bisedime, qoftë në takimet e radhës apo pas ca takimeve të ardhshme që Thaçi mund t’i zhvillojë me Vuçiçin.
Këtu mund të ketë një dakortësi mes tyre dhe gjasat janë të mëdha të përfshihet edhe kryeministri por edhe përfaqësues të opozitës nëse duan pasi bisedimet mendohet se kanë ardhur në pikën e fundit, por assesi Thaçi nuk do të tërhiqet pasi që është ai që i nisi dhe dëshiron t’i mbyllë ato dhe përveçse të mbetet në histori si njeriu që e shpalli pavarësinë, sigurisht se dëshiron të mbetet edhe lideri që mbylli një kapitull pajtimi me armikun shekullor Serbinë.
Mosmarrëveshjet për Demarkacionin …
Pikë tjetër e takimit mund të jetë edhe çështja e Demrakacionit me Malin e Zi, ku është sërish Thaçi ai që ka vënë nënshkrimin mbi marrëveshjen të cilën e kundërshton fuqishëm kryeminsitri e sigurisht e mbron fort presidenti.
Dy krerët kanë dallime edhe në pjesën nëse Demrakacioni duhet të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtarë.
Ndërsa Haradinaj e ka lënë si mundësi të hapur pasi nuk beson se Kuvendi i ka 2/3 e votave për t’i dhënë dritën e gjelbërt kësaj marrëveshjeje, Thaçi vitine kaluara ka deklaruar se nuk e ka në plan ta dërgojë në arbitrazh marrëveshjen në fjalë.
Andaj, duke parë këto dallime mund të ketë një dakordësi mes dy krerëve edhe për këtë marrëveshje që vazhdon të qëndrojë në sirtarët e qeverisë për gati tre vite. /tesheshi.com/