Presidenti Hashim Thaçi. në Samitin e SEECP-së, i njohur si Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë, ka shprehur përkushtimin e Kosovës, siç ka thënë për kultivimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit, duke përfshirë edhe Serbinë.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve respektive, Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë rezultate pozitive. Prandaj, unë edhe tani si president shpreh gatishmërinë për vazhdimin e këtij dialogu, si mekanizmi i vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve tona ndërshtetërore”, ka thënë Thaçi.
Në këtë ngjarje, Thaçi së bashku me homologun e tij Aleksander Vuçiçin janë për herë të parë si presidentë të dy vendeve.
Para presidentëve të rajonit dhe pjesëmarrësve tjerë në këtë samit, Thaçi ka falënderuar presidenten kroate Grabar-Kitaroviq për një kryesim të suksesshëm të SEECP-së, me ç’rast ka thënë se bashkëpunimi është çelësi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, por edhe për të ardhmen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Në kuadër të këtij samiti, Thaçi gjatë ditës do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse. /tesheshi.com/