Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se Kosova po e përdorë listën e BE-së përmes së cilës do të ndaloj hyrjen në vend të personave, grupeve dhe organizatave terroriste.
Presidenti Thaçi u shpreh se duke marrë parasysh përkushtimin e vendit që të kontribuojë në stabilitet dhe siguri, sot ka nxjerr dekret që obligon institucionet e sigurisë të krijojnë listën vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.
Deri në krijimin e listës vendore, sipas dekretit të presidentit Thaçi, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste.
Në mes të listës së zezë figurojnë edhe organizata të tilla si Hezbullahu – lëvizje e armatosur që vepron në Iran dhe Liban, dhe Hamasi, lëvizja palestineze që qeverisë rajonin palestinez të Gazës.
Lista, e cila konsiston prej 15 personash dhe 21 grupesh, është përditësuar në janar të këtij viti. Sa u përket individëve, në të figurojnë shtetas kryesisht nga Irani dhe Arabia Saudite, dhe ndaj tyre rëndojnë akuza deri në ato të terrorizmit. /tesheshi.com/