Gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, z/kryeministri dhe ministri i jashtëm, Hashim Thaçi, tha se Mali i Zi nuk ka hyrë asnjë metër në Kosovë. Sipas tij, komisioni i krijuar nga qeveria ka punuar në mënyrë transparente dhe ka diskutuar edhe me banorët e asaj zone.
“Më lejoni të filloj me atë që është thelbësore, të demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Thelbësore për procesin e demarkacionit është se Kosova s’ka humbur asnjë metër tokë, ky proces është në dobi të Kosovës dhe paqes së saj”, theksoi Thaçi.
Kosova që nga shpallja e pavarësisë është angazhuar të ketë me të gjithë fqinjët marrëdhënie të mira dhe në kuadër të këtij procesi kemi filluar edhe demarkacionin, deklaroi Thaçi.
Ai tha se duhet të sqarojmë se çka paraqet vetë demarkacioni, që paraqet shënjimin e vijës kufitare në mes dy shteteve. Nuk është çështje e negocimit, por çështje teknike.
“Me këtë është marrë komisioni që është themeluar nga qeveria e Kosovës. Kjo vijë kufitare është në përputhje të plotë me kushtetutën e vitit 1970. Janë organizuar dhe mbajtur mbi 20 takime. Komisioni ka bërë trajtimin e secilës pikë veç e veç, duke u bazuar në parim e transparencës.
Kufiri i Kosovës është në hartat kadastrale që nga viti 1974. Janë trajtuar shkresa, foto, skica dhe koordinata që nga viti 1974 e deri më sot. Komisioni gjatë procesit ka pasur në konsideratë kujdesin maksimal për pronat e qytetarëve, pastaj disa herë kanë mbajtur takime me banorët për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre”, ka thënë Thaçi.