Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu tha se testimi i shpejtë tashmë nuk është problem, e kjo sipas saj, në shkallë vendi.
“Kemi hapur 51 pika të testimit të shpejtë në komunitet në të gjithë vendin. Dhe është një ndër sukseset e strategjisë sonë, pasi ajo çfarë po ndodh është që nuk ka më vonesa në kryerjen e testit. Ai kryhet nëpërmjet rezervimit online me mjekun e familjes.
Deri më tani, me përfshirjen e testimit të shpejtë të antigentit, janë kryer më shumë se 55 mijë teste të shpejta në këto 51 pika testimi në të gjithë vendin. Pa harruar që po vijohet me testimin klasik, pra atë të PCR në të gjithë strukturat tona”, tha Manstirlliu, duke vizituar nëj qendër testimi në Qytetin Studenti.
Sipas saj, po vijon pa problem dhe vaksinimi i stafeve shëndetësore.
“Kemi filluar vaksinimin me më shumë se 500 mjekë dhe infermirë të spitaleve COVID dhe vaksinimi do të vijojë, pasi ne kemi garantuar edhe vijimin e furnizimit me dozat e vaksinës nëpërmjet kontratës me Pfizer dhe gjithashtu edhe nëpërmjet COVAX, ku kemi parapaguar 4 milion dollarë dhe që pritet që furnizimet e para të vijnë në shkurt”, tha Manastirlliu. /tesheshi.com/