Opozita ka shënuar një tjetër protestë të trazuar, ku policia u detyrua të përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e cila tentoi të çajë kordonin policor, për t’ju drejtuar parlamentit. Në këtë të fundit, mazhoranca po zhvillonte një seancë të radhës për miratimin e disa instancave në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Protesta e opozitës që “jashtë kalendarit”, pasi ishte planifikuar për të enjten, por thirrja e saj nga kryetari i Kuvendit Ruçi për t’u mbajtur pasditen e së mërkurës – do zëvëndësohej ajo e të enjtes – bëri që opozita ta organizonte aty për aty protestën e saj refuzuese ndaj një zhvillimi normal parlamentar, por që ajo e konsideron jo-legjitim, pasi vetë ka zgjedhur të largohet me dorëzim mandatesh.
Për rreth katër orë, militanca e opozitës së bashku me krerë e saj, Basha e Kryemadhi, janë përplasur me policinë e jo vetëm, pasi nga turma pati dhe lëshime tymuesesh, kapsollash e djegie gomash. Më pas ka ardhur radha e gazit lotsjellës, duke sjellë reagimin e ashpër të Bashës, sipas të cilit në turmë ka patur dhe fëmijë e gra shtatzëna.
“Edi Rama, Sandër Lleshaj, dhe të gjithë ata që urdhëruan goditjen me gaz të nënave shtatzëna dhe fëmijëve, se ne të tjerëve s’keni çna bëni, mbajeni mend, do të jepni llogari para ligjit nga i pari tek i fundit, sovrani do tju cojë para drejtësisë, aty ku e keni vendin, horra dhe tradhtarë të popullit tuaj”, tha kreu demokrat.
Protesta u mbyll rreth orës 8.30, ku më pas mbërriti reagimi i parë ndërkombëtar, ku u dënua dhuna e ushtruar nga militanca e opozitës.
Ishte Prezenca e OSBE-së ajo që në një deklaratë tha se “dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi.
Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë.
Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”. /tesheshi.com/