Nga Francesca Mannocchi, La Stampa
Më 12 tetor të vitit të kaluar, Abu Bashar u zgjua në fshatin e tij të lindjes, Wadi Al Seeq, duke mos e ditur se do të ishte dita e fundit që do të kalonte atje. Pasdite, 100 kolonë – disa me rroba civile dhe fytyra të mbuluara, dhe të tjerët me uniforma ushtarake – hynë më tërbim në fshat, qëlluan me armë në ajër dhe u dhanë palestinezëve vetëm një orë për t’u larguar. Përndryshe do të ekzekutoheshin. Pastaj tre burra nga fshati u rrahën, u zhveshën, u detyruan të shtrihen përtokë, u lidhën me litar dhe u fotografuan ashtu. Kolonët urinuan mbi trupat e dy prej tyre, teksa i fikën cigaret në trupin e të tretit. Wadi al-Seeq, ishte një komunitet i vogël beduinësh në lindje të Ramallahut.
Shtëpitë ishin shumë modeste, disa kasolle të vendosura mbi një terren shkëmbor. Tani 30 familje të mëdha, me gjithsej 300 njerëz që jetonin atje, që të gjithë barinj, nuk kanë më një shtëpi ku të futin kokën. Dhjetë familje të tjera, u detyruan të braktisnin shtëpitë dhe shisnin kopetë e tyre me bagëti që në fillim të vitit 2023 për të kërkuar një vend të sigurt, teksa kishin qenë vazhdimisht viktima të sulmeve të përsëritura nga kolonët, që ua kishin shkatërruar edhe shkollën e fshatit.
Në këtë mënyrë u larguan dhe banorët e Ein Samiya, fshatit aty pranë, por edhe ata të fshatrave Al-Baqa dhe Ras Al-Tin. Për ata që mbetën në Wadi Al-Seeq, ishte e qartë se do të ishte vetëm çështje kohe para se të kishin të njëjtin fat, pasi plani i kolonëve izraelitë “është ta zbrazin zonën C nga të gjithë palestinezët, që pastaj të thonë :këtu s’ka më palestinezë, kjo është e gjitha e jona, dhe tani mund të ndërtojmë kudo”.
Kështu e përmbledh Abu Bashar atë që po ndodh në Bregun Perëndimor të pushtuar. Është pak a shumë ajo çfarë ndodhi me familjen e tij, kur në 1948-ën, vitin e Nakba-s, ai u largua nga shkretëtira e Negevit për të mos u rikthyer më. Ai është pjesë e komunitetit të zhvendosur 70 vite më parë, prej nga ku lindi komuniteti Wadi Al Seeq.
Pasi beduinët u larguan nga fshati, kolonët bllokuan rrugët përreth tyre. Kështu, për të shkuar në qytetet e afërta Rammoun dhe Taybeh dhe për të kërkuar strehë, barinjtë u detyruan të ecnin për shumë kilometra nëpër fushë. Bashkë me ta edhe bagëtitë, fëmijët e tyre, dhe ato pak gjëra që arritën të merrnin me vete.
Kur një javë më vonë u kthyen për të parë se çfarë kishte mbetur nga barakat e tyre, gjetën një grumbull llamarinash. Kolonët kishin shkatërruar gjithçka. Dhe atë që nuk e kishin shkatërruar, e kishin grabitur: depozita uji, madje edhe ushqimin për bagëtinë. Ata kishin plaçkitur dollapët, dhe kishin shkatërruar shtretërit e fëmijëve.
Ende sot aty gjenden copa lodrash dhe fletoret e fëmijëve që shkonin në shkollë. Kështu ka vazhduar aneksimi i territoreve palestineze prej dekadash. Sot kjo çështje është një prioritet kryesor i qeverisë aktuale. Eksponentëve të ekstremit të djathtë u janë besuar ministritë kryesore.
Njëra është Orit Strock, ministre e Vendbanimeve dhe Misioneve Kombëtare, e cila në qershor vizitoi një vendbanim pranë Hebronit, duke u thënë atyre që jetojnë atje se “zgjerimi i vendbanimeve është përparësia e saj kryesore”.
Strock, anëtare e partisë së Sionizmit Fetar, u kërkoi të pranishmëve në takim të kenë besim, sepse “për vite me radhë qeveritë nuk kanë investuar në zonën e Kodrave të Jugut të Hebronit, por unë gjithmonë u kam premtuar atyre që më kanë besuar, se nëse një ditë do të kisha një pozicion me ndikim, gjëja e parë që do të bëja ishte kolonizimi i kësaj zone”.
Ajo ia komunikoi këtë synim edhe kreut të partisë, Bezalel Smotrich, vetë një kolon, që mban postin e Ministrit të Financave. Më 29 maj, Administrata Civile e Ushtrisë Izraelite, e krijuar në vitin 1981 për të mbikëqyrur të gjitha çështjet civile për kolonët izraelitë dhe banorët palestinezë në Zonën C të Bregut Perëndimor, ia transferoi kontrollin e rregulloreve të ndërtimit dhe menaxhimit të tokës bujqësore Administratës së Vendbanimeve, po ashtu e drejtuar nga Smotrich.
Kjo e fundit miratoi me shpejtësi lejet për ndërtimin e vendbanimeve të reja izraelite dhe për prishjen e shtëpive palestineze. Në prill ajo caktoi “simbolet e vendndodhjes” për Mishmar Yehuda, Beit Hogla, Shacharit dhe Asa’el, që pritet të bëhen vendbanime të njohura.
“Simboli i lokalitetit”, është hapi i parë përpara legalizimit. Ai i jep mundësinë vendbanimeve të marrin fonde qeveritare për zhvillimin e tyre, pra të kenë infrastrukturë: rrugë, shkolla, kopshte, ujë. Kjo u mohohet komuniteteve dhe fshatrave palestineze. Smotrich, e botoi “Planin vendimtar” në revistën Hashiloach në vitin 2017, pikat kryesore të së cilës ishte aneksimi i Bregut Perëndimor dhe inkurajimi i “dhjetëra e qindra mijëra banorëve për të ardhur e për të jetuar në Jude dhe Samari” (emrat biblikë të Bregut Perëndimor).
Smotrich e deklaron publikisht se aneksimi izraelit i Bregut Perëndimor, është jo vetëm i domosdoshëm dhe i pashmangshëm, por ende jo i mjaftueshëm. Pra syri është tek Gaza. Dhe dëshminë se nuk kemi të bëjmë thjesht me propagandë, e japin shifrat.
Dy javë më parë, Këshilli i Lartë i Planifikimit dha miratimin për ndërtimin e 5300 njësive në vendbanime të ndryshme në Bregun Perëndimor dhe në zona të ndryshme (të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit) duke përfshirë Givan Hanan (që u vizitua së fundmi nga Strock) dhe Eviatar (që La Stampa e vizitoi dy muaj më parë, dhe që tani është një vendbanim plot me kolonë) dhe shpalli si tokë shtetërore mbi 3100 hektarë në luginën veriore të Jordanisë.
Kështu, ky është territori ku mund të ndërtohet në të ardhmen, dhe nga i cili do të duhet të largohen palestinezët. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Strock dhe Smotrich e bënë të qartë se miratimi i këtyre masave shërben për të “luftuar kundër njohjes së një shteti palestinez”.
Me fjalë të tjera, sa më shumë vendbanime izraelitë të ketë, sa më shumë të legjitimohen ngulimet ilegale, dhe aq më pak do të jetë e mundur të garantohet vazhdimësia territoriale, e cila është një kusht thelbësor për krijimin e një shteti palestinez. Si dhe lëvizshmëria e zakonshme e njerëzve, që sot janë de fakto të burgosur në fshatrat e tyre.
Smotrich e tha hapur se këto veprime janë një përgjigje ndaj vendimit të kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, që lëshoi një urdhër arresti për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant me akuzën e krimeve të luftës në Gaza, si dhe një mesazh i tërthortë për disa vende evropiane që kanë deklaruar se e njohin shtetin palestinez.
Dje, pas publikimit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit politika izraelite në territoret palestineze po shkel të drejtën ndërkombëtare, Smotrich dhe ministri tjetër i ekstremit të djathtë, ai i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, deklaruan se kjo e vetmja përgjigje që kanë është aneksimi i pjesëve të reja të Bregut Perëndimor.
“Peace Now” është një organizatë joqeveritare izraelite, e krijuar me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik dhe ushtrimin e presionit ndaj qeverisë për të arritur një paqe të drejtë dhe pajtim me popullin palestinez, sipas formulës “paqe në këmbim të territoreve”.
Për këtë arsye, ajo monitoron prej dekadash episodet e dhunës në territoret e pushtuara dhe shpronësimet e dhunshme të palestinezëve. Sipas të dhënave të saj, ngulimet e fundit të dhunshme të kolonëve përbëjnë “grabitjen më të madhe të tokës që nga Marrëveshja e Oslos”. Vetëm që nga fillim i këtij viti, janë grabitur në këtë formë 5800 hektarë tokë në Bregun Perëndimor, duke u shpallur si tokë shtetërore izraelite. Sipas një organizate tjetër izraelite, që mbledh dhe dokumenton abuzimet në territoret e pushtuara palestineze, B’Tselem, “dhuna e kolonëve nuk është e ndarë nga dhuna shtetërore, ajo është një krah jozyrtar i shtetit për t’ua marrë tokën palestinezeve”.
“Ky ishte plani i tyre dikur, dhe ky është plani i tyre tani. Ata po e shfrytëzojnë edhe luftën në Gaza për të rrëmbyer sa më shumë territore”, thekson organizata.
Që nga 7 tetori 2023, 18 komunitete baritore janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke lënë qindra palestinezë në strehimore të përkohshme ose fare të pastrehë.
Ashtu siç ndodhi me banorët e Wadi al Seeq. Që kur u dëbuan prej andej, vajza 11-vjeçare e Abu Bashar nuk dëshiron të shkojë më në shkollë. Ajo thotë se ka “një frikë të tmerrshme” nga takimi me kolonët dhe ushtarët izraelitë. Kështu, e kalon kohën në katin e parë të një shtëpie në ndërtim në Rammoun, ku dy nga tridhjetë familjet kanë gjetur mikpritje prej disa muajsh, së bashku me kopenë e tyre të bagëtive. Të tjerët janë të shpërndarë gjetkë.
Përpara kasolleve është shkatërruar komuniteti. Historia, e kaluara e tij, por edhe ardhmja e tij. Abu Bashar thotë se vdekja e një fshati, është njëlloj si vdekja e një personi të dashur, një njeriu të familjes. Dhe ai thotë se bashkësia e Wadi Al Seeq, e cila tani nuk ekziston më, ishte si një pemë që u shkul me forcë nga rrënjët dhe u flak tutje.