Nga Ahmet Zani
Nëse ke motiv shijimin e natyrës në këtë praanverë, ajo të ofrohet pa rezerva. Kështu ndodhduke udhëtuar drejt fshati Mafsheq të Krujës, i ndodhur në pellgun e vargmaleve të Skënderbeut, diku thellë nga rruga nacionale që të shpie në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës. Por ama, nëse ke për qëllim që të takosh atyre anëve ndonjë fat njerëzor, prite trishtimin tronditës e gërryes të cilin do e përjetosh sapo t’i afrohesh një kasolleje, ku ti mendon se aty ka bagëti, pra krijesa me katër këmbë, por që do hasësh në zëra njerëzorë; më saktë në frymë njerëzore që dihasin në një përpjekje sizifiane për të mbijetuar.
Sapo ndahesh nga rruga që të shpie pra në parkun e Qafë Shtamës, më pas rruga kthen për në Mafsheq; dhe që aty nis pikëtakimi me trishtimin, pra me asaj bukurie natyrore, e cila është në kontrast të thellë, jo vetëm me rrugën që e përshkon, e cila të duket si një zgjatim ferri mbi tokë, por dhe në atë që do të ndeshësh më pas.
Dhe ja pra kur duket heroi ynë, Zenel Xeka, që ai në fakt as që do të donte të quhej i tillë, derisa kurrë nuk ia ka uruar vetes atë fat. Pra, një hero në thonjëza, “hero”. (Ishte dëshira e tij që mos ia publikonim foton për shkak të ndenjës së turpit)
Dhe kur sheh se si rënkon mjeti që të çon deri aty, imagjino më pas rënkimet e Zenelit dhe të frymëve të tij që jetojnë aty
Sepse ç’të shohësh, është gati e pabesueshme që tek ajo që ti e merr për kasolle bagëtish të jetojnë njerëz. Gjysma e saj ka rrëshkitur afro gjashtë metra më poshtë dhe e habitshme si qëndronin muret në këmbë.
“Këtu jetoj unë me dy fëmijët dhe gruan”, përgjigjet Zeneli, ndërsa e besonim këtë fakt duke e parë me sytë tanë.
“Eja shihni ku jetoj”, shton më tej kryefamiljari, ku tërë muret e shtëpisë ishin të shkëputura. Vërtet tragjike ajo se ku jetonin këta njerëz.
“Më dhimbsen këta fëmijë që janë ende të vegjël dhe nuk e njohin dhe aq rrezikun. Qëndroj tërë natën pa gjumë se mos ndodh tragjedi. Nuk kam ku të vete, asnjeri nga shtetarët nuk kujtohet për gjendjen e familjes time. Jetoj vetëm me shitjen e ndonjë bagëtie, ndërsa të ardhurat janë vetëm 3500 lekë në muaj si familje pa tokë. Mua dhe fëmijët vetëm Zoti na ruan, pasi sa vjen dhe më shumë rrëshket banesa nga rrëshkitjet e tokës”, shton më tej nën një dëshpërim të thellë kryefamiljari.
Ervini dhe Selmani janë nxënës në klasën e gjashtë dhe të katërt. Nuk kanë kushte ku të mësojnë. Edhe shkolla e fshatit është e amortizuar. Mësuesit hera-herës nuk vijnë të japin mësim nga rruga e largët dhe e rënduar. Janë mësues nga qyteti, ndaj e kanë të vështirë të zhvillojnë mësimin për çdo ditë për fëmijët tanë”, thotë Zeneli dhe shton se për të me e rëndësishme të gjejë strehë e të shpëtojë famijët nga ndonjë tragjedi e cila i kanoset për çdo moment. Sa për shkollimin, ai mbetet një pretendim i tepërt në ato kushte. Jeta vëlla, jeta, ajo është në fije të perit. /tesheshi.com/