Nga Ali Bakir & Mehmet Rakipoglu, Middle East Eye*
Kohët e fundit, SHBA-ja kërcënoi se do të vendosë sanksione ndaj Netzah Yehuda, një njësi e ushtrisë izraelite e krijuar rreth 25 vjet më parë, për të integruar në ushtri burrat e segmentit më radikal të Judaizmit. Ndërsa perspektiva e sanksioneve kundër kësaj njësie mund të duket si një zhvillim pozitiv, ka shqetësime se kjo masë synon që të përmirësojë imazhin e përgjithshëm të ushtrisë, si një forcë që i bindet ligjit.Dhe kjo në një kohë që Uashingtoni po vazhdon të ofrojë mbështetje financiare, ushtarake dhe të inteligjencës për makinerinë luftarake të Izraelit.
Ndërsa lufta në Gaza po vazhdon prej më shumë se gjashtë muajsh, ushtarët izraelitë e kanë mbushur internetin me foto dhe video të tyre duke vjedhur shtëpitë e palestinezëve, veshur të brendshmet e femrave të vdekura apo të zhvendosura nga shtëpitë e tyre, duke hipur mbi biçikleta të vjedhura si dhe duke u mburrur për sulmet ndaj infrastrukturës civile.
Edhe avokati kryesor i ushtrisë arriti në përfundimin se ata kishin kapërcyer një “prag penal”. Që nga fillimi i luftës tetorin e vitit të kaluar, forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 34.500 palestinezë, 72 për qind e të cilëve gra dhe fëmijë. Vrasja e qëllimshme dhe sistematike e civilëve palestinezë, së bashku me përdorimin si armë të privimit të tyre nga ushqimi dhe uji, ka shumë pak precedentë në kontekstin e luftës moderne.
Edhe pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi Izraelin të parandalonte aktet e gjenocidit, ushtarët vazhduan të sillen po njëlloj. Pse ndodh kjo? Sepse qëkur u krijua ushtria izraelite, shtyllën e saj e përbënin organizatat terroriste sioniste si Haganah, Palmach dhe Irgun.
Shteti i Izraelit lindi nga operacionet terroriste në shkallë të gjerë nga ana e grupimeve sioniste, me qëllim pushtimin e tokave palestineze. David Ben-Gurion, që më vonë u bë kryeministri i parë i Izraelit, e përmblodhi kështu këtë politikë në vitin 1937: “Ne duhet t’i dëbojmë arabët dhe të zëmë vendin e tyre!”.
Dejvid Çarters, profesor i historisë ushtarake, ka deklaruar se terrorizmi sionist në Palestinën e viteve 1940 “ishte i rëndësishëm si në aspekt taktik, ashtu edhe atë strategjik …pasi ai krijoi kushtet që lehtësuan themelimin e Izraelit dhe krijimin e një diaspore arabo-palestineze”.
Ndër mizoritë e kryera nga grupet sioniste kundër popullit palestinez, me synim dëbimin e tyre në shkallë të gjerë dhe marrjen e tokave, ishte masakra e Deir Yassin. Në dokumentarin e vitit 2017 “I lindur në Deir Yassin”, ish-anëtari i Haganah, Meir Pail, përshkroi në detaje se si milicitë sioniste masakruan civilët palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Në një nga dokumentet historike të zbuluara në atë dokumentar, Yehuda Feder, anëtar i grupit paraushtarak Lehi, mburrej me krenari për ekzekutimin e vajzave me mitraloz dhe plaçkitjen e fshatit të tyre: “Ishte një operacion vërtet i jashtëzakonshëm, prandaj e majta vazhdon të na shajë”.
Ashtu si dhjetëra mijëra sionistë që erdhën në Palestinë si refugjatë nga Evropa dhe gjetkë, Feder ishte një hebre nga Polonia. Pasi Lehi u shpërbë, ai iu bashkua ushtrisë izraelite dhe gjatë viteve 1986-1994 shërbeu si kryetar i degës së Likud-it në Jerusalem. Në prillin e vitit 2001, iu dha çmimi “Qytetar i shquar i Jerusalemit”.
Ky është vetëm një shembull i luftëtarëve të huaj terroristë, që krijuan ushtrinë izraelite dhe që më vonë u shpërblyen për masakrat e tyre. Praktika e gjatë e rekrutimit të luftëtarëve të huaj, është ende aktive sot në ushtrinë izraelite, duke përfshirë një segment të rëndësishëm që vjen nga SHBA-ja.
Sipas ushtrisë izraelite, më shumë se 23.000 shtetas amerikanë shërbejnë aktualisht në radhët izraelite. Në fakt, rreth 10 për qind e viktimave në radhët e kësaj të fundit që nga fillimi i pushtimit të Gazës janë amerikanë.
Dhjetorin e vitit të kaluar, një deputet francez zbuloi se më shumë se 4.000 qytetarë francezë janë bërë pjesë e ushtrisë izraelite që nga fillimi i luftës në Gaza. Po ashtu deri në 1.000 australianë, 1.000 italianë dhe 400 indianë. Britania, Gjermania, Kanadaja, Rusia, Ukraina, Finlanda dhe Afrika e Jugut, përbëjnë gjithashtu një burim të luftëtarëve të huaj për Izraelin.
Përveç kësaj, ushtria izraelite po rekruton vullnetarë që duhet të ndihmojnë në detyra të tilla si paketimi i furnizimeve mjekësore dhe përgatitja e vakteve për ushtarët. Organizata si Sar-El, ka sjellë mijëra vullnetarë nga dhjetëra vende në mbarë botën. Mosha minimale për vullnetarizëm është 16 vjeç.
Programe të tilla i ekspozojnë vullnetarët ndaj indoktrinimit ideologjik, duke synuar që të forcojnë lidhjen mes tyre, Izraelit dhe ushtrisë së tij. Një program tjetër që rekruton vullnetarë të huaj, Mahal, u themelua fillimisht disa dekada më parë kur vullnetarë nga e gjithë bota mbërritën në Izrael, fillimisht për të ndihmuar Haganah dhe më vonë ushtrinë izraelite.
Përveç kësaj, programi “Lone Soldiers” ofron mbështetje për luftëtarët “shumë të motivuar” që nuk e kanë familjen në Izrael.
Të ashtuquajturit “ushtarë të vetmuar”, sipas burimeve shumë se 7000, marrin dyfishin e pagës së rregullt mujore. Sipas vlerësimeve të vetë ushtrisë izraelite, 35 për qind e tyre vijnë nga SHBA.
Në vitin 2020, nëntë për qind e “ushtarëve të vetmuar” në ushtrinë izraelite vinin nga Kanadaja.
Megjithatë, kategoria më e diskutueshme e rekrutëve të huaj, janë mercenarët e punësuar përmes kompanive kontraktore private.
Ka pasur raportime mbi mercenarë që po luftojnë aktualisht në luftën e Gazës, përfshirë video dhe imazhe që sugjerojnë se mercenarët amerikanë kanë vepruar së bashku me ushtrinë izraelite.
Ashtu si ushtarët izraelitë, të gjitha këto kategori luftëtarësh të huaj gëzojnë një pandëshkueshmëri të plotë, gjë që ndoshta shpjegon arsyen se përse disa prej tyre janë sjellë në një mënyrë kaq mizore dhe të pamatur, duke u mburrur për krimet e tyre në internet dhe duke publikuar dëshmi se ata kanë shkelur shumë rregulla të kohës së luftës.
Në fakt, pavarësisht nga protestat e shumta kundër aktiviteteve të tilla, vetëm Afrika e Jugut ka shprehur një gatishmëri serioze për të ndjekur penalisht këto tmerre. Në rastet e mëparshme, shtetasit e vendeve perëndimore që udhëtuan për shembull për të luftuar kundër regjimit të presidentit sirian Bashar Al-Assad, u hetuan, u ndëshkuan dhe u burgosën, edhe nëse aktivitetet e tyre ishin të kufizuara në mbledhjen e fondeve dhe jo në operacione ushtarake në terren.
Përtej standardeve dukshëm të dyfishta, mungesa e ndëshkimit për luftëtarët e huaj që i bashkohen ushtrisë izraelite, do të sjellë pasoja të tjera të rënda për civilët palestinezë, nëse këta luftëtarë mbeten atje, por edhe për sigurinë e brendshme nëse kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Situata rrezikon që t’i motivojë këta luftëtarë të huaj të përfshihen më tej në aktivitete jo etike, të paligjshme dhe kriminale. Këtu mund të përfshihet pjesëmarrja në operacione luftarake, të cilat do të sjellin vrasjen e më shumë civilëve, vendosjen e tyre në territoret e pushtuara dhe pjesëmarrjen në luftën e vazhdueshme gjenocidale kundër popullit palestinez.
*Ali Bakir, ndihmës profesor në Qendrën për Shkenca Humane dhe Sociale në Universitein Ibn Khaldun. Mehmet Rakipoglu, ndihmës profesor në Universitetin Mardin Artuklu.